Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër-falënderimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për tërmetet në Turqi.
Presidenti Erdoğan ka thënë se përpjekjet e ekipit të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënojat do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje
“Do të doja t’ju falënderoja në emër të kombit tim dhe emrin tim personal që keni ndarë dhimbjen tonë dhe keni dhënë mbështetje në një kohë të shkurtër duke dërguar mesazh ngushëllimi për tërmetet në Kahramanmaraş, të cilët prekën drejtpërdrejt dhjetë provinca me një fuqi shkatërruese që shkaktuan dhimbje të thellë për vendin tonë. Fakti që vendet mike na qëndrojnë pranë në raste të tilla të fatkeqësive natyrore na jep forcën për të duruar”, thuhet në letrën e Presidentit Erdoğan.
Më tej në letrën e Presidentit Erdogan thuhet se ndihma e Republikës së Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit,
“Ndihma juaj ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit tanë që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit në këto ditë të vështira dimri. Përpjekjet e ekipit tuaj të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënojat do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje”.
Me këtë rast përsëris urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit mik e vëllazëror të Kosovës, përfundon letra e presidentit Erdoğan, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.