Në kuadër të vizitës zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, ka takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca ritheksoi qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe Ndihmës Sekretari amerikan theksuan rëndësinë e vazhdimit të punës për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë ditës së sotme, kryetari Glauk Konjufca pritet të takohet edhe me kongresistin Ritchie Torres dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.