Zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, transformimin e ekonomisë sonë në një ekonomi të bazuar në dije, të arritura shkencore, përdorim të teknologjive të reja dhe inovacion. Kërkimet në shkencat shoqërore ndikojnë edhe në zhvillimin gjuhësor, social e kulturor të vendit”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Tryezën e Diskutimit të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për draft Programin Kombëtar të Shkencës.
Kryeministri Kurti gjatë adresimit të tij, tha se ky dokument strategjik synon zhvillimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe përkrahës për kërkime shkencore dhe inovacion në Kosovë e me buxhet të veçantë. Ai shtoi se gjithashtu ky program synon gjenerimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit të mbështetur në dije, në njohuri të reja, të arritura shkencore dhe inovacione teknologjike.
Në buxhetin e sivjetmë kemi ndarë 1.25 milionë euro. Për diversitet të ideve në shkencë në vitin e parë të qeverisjes, patëm mbështetur mbi 1000 vajza studente në fushat STEM me mbi 1 milion euro, ndërsa këtë vit dyfishuam mbështetjen financiare në 2 milionë euro. Gjatë këtyre dy viteve, pra gjithsej kemi përkrahur 2748 vajza, të cilat studiojnë në fushat STEM. Me Republikën e Shqipërisë do t’i bashkëfinancojmë 16 projekte shkencore, nga 20 mijë euro secila, tha kryeministri Kurti.
Ai më tej tha se në thirrjen e vitit 2022 nga Komisioni Evropian, janë përzgjedhur për financim gjithsej 14 projekte nga Kosova për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë, një projekt ‘zhanmone’ dhe 9 projekte në fushën e arsimit profesional dhe si rrjedhojë, 24 projekte nga Kosova janë përfituese të skemave të programit ‘Erasmus+’ për arsimin e lartë dhe atë profesional.
Po ashtu, kryeministri Kurti përmendi se rreth një vit më parë, ne u bëmë anëtarë të ‘Horizon Europe’, që ka hapur mundësitë për qasjet në fondet e Bashkimit Evropian. Nga ky program kemi fituar 5 projekte në vlerë rreth 600 mijë euro.
Aktualisht jemi duke pilotuar Sistemin Informativ Kërkimor të Kosovës KRIS, që do të mbështesë kërkimin përmes një infrastrukture të ndërlidhur, financimit të shtuar dhe bashkëpunimit vendor e ndërkombëtar në projekte shkencore, tha Kryeministri, duke vlerësuar se edhe rekomandimet, që do të jepen në këtë diskutim, do t’i shërbejnë krijimit të një baze të shëndoshë për zhvillimin e shkencës, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Kam kënaqësinë të jem sot në këtë diskutim të vlefshëm për hartimin e programit Kombëtar të Shkencës për periudhën 2023-2028. Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, janë në një proces që synon ta rimodelojë sistemin kombëtar të kërkimit shkencor. Pas një periudhe 10-vjeçare të vakumit dhe pamundësisë së konsolidimit të Këshillit, ky program kompleks dhe premtues është hartuar për një periudhë të shkurtër.
Ky dokument strategjik synon zhvillimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe përkrahës për kërkime shkencore dhe inovacion në Kosovë e me buxhet të veçantë.
Zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, transformimin e ekonomisë sonë në një ekonomi të bazuar në dije, të arritura shkencore, përdorim të teknologjive të reja dhe inovacion. Kërkimet në shkencat shoqëror ndikojnë edhe në zhvillimin gjuhësor, social e kulturor të vendit.
Ky program synon gjenerimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit të mbështetur në dije, në njohuri të reja, të arritura shkencore dhe inovacione teknologjike. Po ashtu, kontribuon në shtyllën e parë dhe të dytë të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, pra zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillim të barabartë njerëzor. Kemi për synim rritjen e aftësisë konkurruese në shkencë me shtetet e rajonit, duke u bazuar në përparësitë që kemi: institucione akademike, shkencore, me traditë mbi 50 -vjeçare, sektorë ekonomikë në ngritje, sidomos në fushat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, popullsi me moshë të re mesatare dhe mërgatë me të arritura të rëndësishme.
Të nderuar të pranishëm,
Përparimi shkencor kërkon një ekosistem inovativ, i cili do të sigurojë infrastrukturën dhe lidhjet e nevojshme ndërmjet arsimit, kërkimit dhe inovacionit.
Në buxhetin e sivjetmë kemi ndarë 1.25 milionë euro. Për diversitet të ideve në shkencë në vitin e parë të qeverisjes, patëm mbështetur mbi 1000 vajza studente në fushat STEM me mbi 1 milion euro, ndërsa këtë vit dyfishuam mbështetjen financiare në 2 milionë euro.
Gjatë këtyre dy viteve, pra gjithsej kemi përkrahur 2748 vajza, të cilat studiojnë në fushat STEM.
Me Republikën e Shqipërisë do t’i bashkëfinancojmë 16 projekte shkencore, nga 20 mijë euro secila.
Me këtë program, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe të përfitimit për të. Në thirrjen e vitit 2022 nga Komisioni Evropian, janë përzgjedhur për financim gjithsej 14 projekte nga Kosova për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë, një projekt ‘Zhanmone’ (JEAN MONNET) dhe 9 projekte në fushën e arsimit profesional.
Si rrjedhojë, 24 projekte nga Kosova janë përfituese të skemave të programit ‘Erasmus+’ për arsimin e lartë dhe atë profesional. Pra, me ‘Erasmus+, vitin e kaluar kemi pasur numrin më të madh të projekteve të fituara.
Rreth një vit më parë, ne u bëmë anëtarë të ‘Horizon Europe’, që ka hapur mundësitë për qasjet në fondet e Bashkimit Evropian.
Nga ky program kemi fituar 5 projekte në vlerë rreth 600 mijë euro.
Kemi përfunduar negociatat për t’iu bashkuar një programi tejet të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, ‘Evropa Digjitale’.
Këto anëtarësime ofrojnë mundësi shtesë për të aplikuar për projekte kërkimore të financuara nga këto programe.
Aktualisht jemi duke pilotuar Sistemin Informativ Kërkimor të Kosovës- KRIS, që do të mbështesë kërkimin përmes një infrastrukture të ndërlidhur, financimit të shtuar dhe bashkëpunimit vendor e ndërkombëtar në projekte shkencore.
Edhe rekomandimet, që ju do të jepni në këtë diskutim, do t’i shërbejnë krijimit të një baze të shëndoshë për zhvillimin e shkencës.
Ky takim sot, mundëson shkëmbimin e pikëpamjeve dhe perspektivave tona në nivel kombëtar, por edhe më gjerë, si dhe konsolidimin e partneriteteve me institucionet arsimore, shkencore dhe kërkimore brenda dhe jashtë vendit për përparimin e shkencës në Kosovë.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për punën dhe për angazhimin tuaj, ju uroj diskutime të mbara.