Dr. Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë.
Gjatë takimeve në këtë spital, janë njoftuar për punën që po bëhet në përgjithësi në këtë spital, me theks të veçantë, menaxhimin e Pandemisë së Covid-19.
Krasniqi ka falënderuar menaxhmentin e spitalit dhe gjithë punonjësit shëndetësor për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19, por edhe sëmundjeve të tjera.
Gjatë vizitës, u inspektuan hapësirat në të cilat po punohet për vendosjen e rezervuarit për furnizim me oksigjen të lëngshëm në këtë spital.
Bazuar në dinamikën e punimeve, ky spital pritet që së shpejti, pas investimeve nga ShSKUK, për herë të parë të ketë rezervuarin për furnizim me oksigjen të lëngshëm.
Krasniqi dhe ministri Zemaj, ofruan përkrahje në këkesat që ka ky spital.
Para disa ditësh, Spitali i Gjakovës ishte pajisur për herë të parë me një aparat modern të CT, donacion nga Ambasada Amerikane.