Anduena Krasniqi, 20-vjeçare, studente nga Prishtina, thotë se del lirshëm kurdo në qytet.
“Nuk e di për vendet e tjera, por në Prishtinë unë ndihem e sigurt në çfarëdo kohe që dal. Ndodh shpeshherë që ndalen makina të ndryshme, por asnjëherë nuk mendoj deri te trafikimi, zakonisht ata janë të rinj që ngacmojnë vajzat në rrugë, e jo trafikantë”, thotë Krasniqi.
Po jo të gjithë mendojnë dhe ndihen ashtu. Florina Qupevaj, po ashtu studente nga Prishtina, konsideron se në Kosovë, nëse je një femër, nuk je edhe gjithaq e sigurt të lëvizësh lirshëm nëpër rrugë, sidomos në orët e vona.
“Ka raste të shpeshta që femrat natën ndiqen nga makina të njerëzve të panjohur dhe frikësohen se janë trafikantë”, thekson ajo.
Sipas Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në periudhën janar-qershor 2017 janë identifikuar gjithsej 16 viktima të trafikimit me njerëz, prej tyre 15 shtetase kosovare dhe një nga Shqipëria. Në po të njëjtën periudhë, për vepër penale të trafikimit me njerëz dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin janë arrestuar gjithsej 97 persona.
Për dallim, në fillim të viteve 2000 shumica e viktimave të identifikuara të trafikimit të qenieve njerëzore (THB) vinin nga Republika e Moldavisë, Rumania, Rusia, Ukraina dhe Shqipëria, ndërkohë që nga viti 2008 numri i viktimave të huaja ka rënë në mënyrë drastike.
Pjesa më e madhe e viktimave të identifikuara në periudhën 2011-2014 ishin gra dhe vajza të trafikuara për qëllime shfrytëzimi seksual. Numri i meshkujve të trafikuar për qëllime të shfrytëzimit për punë ishte një në vitin 2011, katër në vitin 2012, dy në vitin 2013 dhe tre në vitin 2014.
Nga një hulumtim i Grupit të Ekspertëve për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA), fëmijët përbënin 44% të viktimave të identifikuara të trafikimit në periudhën 2013-2014 kryesisht në kontekst të shfrytëzimit të tyre për lypje të detyruar dhe forma të tjera të punës së detyruar, që pohohet se është një tendencë në rritje.
Prej prillit të vitit 2008, me vendim të Qeverisë, Kosova ka edhe Koordinatorin Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz.
Nga mesi i korrikut Policia e Kosovës kishte ndërmarrë disa operacione në rajone të ndryshme të Kosovës si në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë etj., me ç’rast ishin arrestuar tetë persona të dyshuar të përfshirë në veprën penale “mundësim në prostitucion dhe ofrim i lokaleve për prostitucion,” veprën kundërvajtëse “marrje me prostitucion”.
Me 19.06.2017 në Pejë, policia në kontrollin e një lokali ku dyshohej se kryhej veprimtari kriminale, kishte arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprat penale “mundësim ose detyrim në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve për prostitucion”. Me vendim të Inspektoratit Komunal, lokali ku dyshohej se ushtrohej veprimtaria e ndaluar, ishte mbyllur. Sipas ligjit të Kosovës, në rastet kur ekziston dyshimi i bazuar se një objekt apo biznes afarist, që vepron në mënyrë të ligjshme ose të paligjshme, është i përfshirë në çështjet e trafikimit me njerëz, prokurori i kërkon gjyqtarit mbylljen e menjëhershme të atij objekti apo biznesi afarist.
Statistikat tregojnë se vetëm vitin e kaluar janë iniciuar 146 raste për hetim nën dyshimin për trafikim me njjerëz dhe vepra tjera që ndërlidhen me trafikimin. Janë arrestuar 202 persona të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin, si dhe janë identifikuar 36 viktima.
Në hulumtimin e saj, GRETA i qaset edhe sanksionimit të veprave që ndërlidhen me trafikim duke përmendur se më 2014, ishin dënuar gjithsej 45 persona. Dënimet, ndërkaq silleshin prej gjobave 200 deri në 1,500 euro deri te dënimet me burg në kohëzgjatje deri 5 vjet e gjysmë.
Policia e Kosovës, pohon se gjatë kësaj faze është rritur efikasiteti dhe efektiviteti i saj në identifikimin dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale, numri i rasteve të dërguara në Prokurori me kallëzim penal, numri i arrestimeve të personave, identifikimi dhe asistimi i viktimave të trafikimit me qenie njerëzore. PK pohon se në vazhdimësi ka treguar gatishmëri për një bashkëpunim me shtetet e rajonit dhe më gjerë, dhe se janë realizuar edhe operacione të përbashkëta policore në nivel rajonal, që kanë rezultuar me arrestimin e personave të dyshuar dhe shkatërrimin e grupeve të ndryshme kriminale.
Sipas Vjollca Avdiut, sociologe pre e trafikimeve më së shumti bien femrat.
“Trafikantët e fillojnë aktivitetin e tyre duke grabitur dhe duke u dhënë femrave premtime të rrejshme. Pastaj ata ushtrojnë mbi to dhunë psiqike, e fizike. Femrat janë ato që përdoren si objekte seksi e posaçërisht me to zhvillohet edhe prostitucioni”, thekson Avdiu.
Ajo sheh varfërinë ekonomike dhe mungesën e shkollimit, vetëm disa nga shkaqet e trafikimit.
Valës së madhe të refugjatëve që më 2015 ishin larguar nga Kosova drejt vendeve evropiane, e që u vlerësua se arriti deri 60 mijë, sipas GRETA-s, në masë të konsiderueshme i kishin kontribuar kontrabanduesit.
Njomza Berisha