Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Investimi në mirëqenien e fëmijëve është gurthemeli për shoqëri të drejtë

Qer 1, 2023

Me qëllim të shënimit të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kryesuar takimin e radhës së Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve. Përveç anëtarëve të këtij komiteti, të pranishëm ishin edhe ministrat Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu, Arben Vitia e Elbert Krasniqi, shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman, udhëheqësja e KOMF, znj. Donjeta Kelmendi, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe vet përfaqësuesit e fëmijëve.

Duke ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mirëqenien e fëmijëve, kryeministri Kurti në këtë takim deklaroi se investimi në mirëqenien e fëmijëve është gurthemeli për shoqëri të drejtë.

Rrjedhimisht, ai tregoi se si Qeveri përmes skemave të mbrojtjes sociale dhe politikave arsimore po largojmë barrierat për zhvillimin dhe arsimimin e fëmijëve. Paralelisht, për të siguruar barazi nga mosha e hershme, po i ndajmë shtesat për 351 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Ndërkaq, është miratuar edhe Ligji për arsimin e fëmijërinë e hershme, ku do të angazhohen 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara e me nevoja të veçanta. Në këtë kuadër, sa i përket shëndetit mendor dhe psiko-social të fëmijëve dhe familjeve të tyre, vetëm në vitin e kaluar, janë trajnuar mbi 200 profesionistë të këtyre shërbimeve.

Sipas kryeministrit janë themeluar e funksionalizuar mekanizma institucional për të drejtat e fëmijëve në nivel qendror dhe lokal, ku deri më tani janë themeluar ekipet për të Drejtat e Fëmijës në 22 komuna dhe janë realizuar aktivitete në 32 komuna nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Këto Ekipe për të Drejtat e Fëmijëve, Elbert Krasniqi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, i konsideroi hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit, akterëve të rëndësishëm të përfshirë në sigurimin e të drejtave të fëmijëve. Ai shprehu se do të vazhdojnë tutje duke punuar së bashku për të adresuar çështjet dhe problemet me të mëdha që fëmijët tani po përballen.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë takimit ka shpalosur dhe njoftuar të pranishmit me politikat e kësaj ministrie në edukimin e hershëm, duke theksuar se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet njëra nga prioritetet e Ministrisë dhe Qeverisë, me synimin parësor rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët në të gjitha komunat e Republikës sonë.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është shprehur i lumtur që ishte në këtë tryezë dhe se si Ministri e Shëndetësisë synojnë zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore me qasje të lehtë për nëna dhe fëmijë si dhe qasje bashkëkohore që do të rezultojë në përmirësimin e statusit shëndetësor të këtyre grupeve të ndjeshme të popullatës si dhe ngritjen e kualitetit të tyre.

Në takim nuk mungoi as prezenca e fëmijëve, me ç’rast Esra Kërveshi, kryetare e Grupit Avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuar, falënderoi kryeministrin Albin Kurti që ndau kohën t’i dëgjojë kërkesat e tyre.

Në fund, kryeministri Albin Kurti kërkoi që të gjitha rekomandimet nga ky takim i sotshëm t’i përkthejmë në veprime të përbashkëta, të institucioneve dhe organizatave partnere vendore e ndërkombëtare, në angazhim të përbashkët me fëmijët. Ndërsa fëmijëve, duke iu uruar përzemërsisht ditën e tyre, 1 Qershorin, i këshilloi që ta ruajnë gjithmonë ndjeshmërinë, kreativitetin dhe kureshtjen që karakterizon moshën e fëmijërisë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

Jam i lumtur që sot kryesoj takimin e radhës së Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, për të ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për  mirëqenien e fëmijëve. Investimi në mirëqenien e fëmijëve tanë nuk është vetëm një obligim etik dhe ligjor, është gur themeli për shoqëri të drejtë dhe prosporuese.

 

Të drejtat e fëmijëve janë parime themelore që kërkojnë përherë angazhimin tonë. Këto të drejta nga konventat dhe traktatet ndërkombëtare, duhet të jenë dëshira në zemra e në qëllime, në mendje e në punë të secilit prej nesh.

 

Të drejtat e fëmijëve janë edhe përgjegjësi kolektive e gjithë shoqërisë. Andaj, si institucione, organizata, prindër, edukatorë dhe qytetarë, ne duhet të punojmë krah për krah. Duke i bashkuar forcat me dijen, dhe më mirë e më lehtë të bëjmë të mundur jetësimin e të gjitha të drejtave të fëmijëve duke mbrojtur secilin prej tyre.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për mjedis mbrojtës për fëmijët, me synim rritjen e mirëqenies, përmirësimin e shëndetit dhe cilësisë së arsimit. Përmes skemave të mbrojtjes sociale dhe politikave arsimore, po largojmë barrierat për zhvillimin dhe arsimimin e fëmijëve.  Për barazi nga mosha e hershme,  po i ndajmë shtesat për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Deri më tani shtesa po marrin 351 mijë fëmijë. Kemi miratuar Ligjin për arsimin e fëmijërisë së hershme. Po e rrisim qasjen e fëmijëve në edukimin e hershëm dhe po e finalizojmë kurrikulën e re për moshat prej 0-6 vjeç. Po ecim drejt përmbushjes së premtimit tonë për angazhimin e 500 asistentëve të rinj për fëmijë me aftësi të kufizuara e më nevoja të veçanta duke pasur parasysh që një gjë e tillë nuk ka ekzistuar fare më herët. Po angazhohemi gjithashtu edhe për rritje të cilësisë së arsimit, duke e njohur forcën e tij transformuese. Pra, kujdesi dhe dija për atë që kujdesemi dhe sa më të dijshëm ata për të cilët kujdesemi, natyrisht që i’a lehtëson punën të gjitha palëve dhe e përshpejton përparimin. Me qëllim të përmirësimit të qasjes në shërbimet e shëndetit mendor dhe psiko-social për fëmijët dhe familjet, gjatë vitit të kaluar janë trajnuar më shumë se 200 profesionistë.

 

Kemi themeluar e funksionalizuar mekanizma institucional për të drejtat e fëmijëve në nivel qendror. Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit,  në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, deri më tani kanë themeluar ekipet për të Drejtat e Fëmijëve në 22 komuna.

 

Është duke u punuar intensivisht në ndërtimin e  sistemit të integruar dhe ndër-institucional të monitorimit dhe vlerësimit të të drejtave të fëmijëve, që do të mundësojë raportimin e automatizuar digjital vjetor edhe në mënyrë të vizualizuar.

 

Për zbatimin e plotë të obligimeve të cilat rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, në bashkëpunim me organizatat partnere kemi realizuar aktivitete në 32 komuna të Republikës së Kosovës me të gjitha grupet e interesit dhe kategorisë shoqërore, përfshirë zyrtarët institucional, punëtorët social, shëndetësorë, edukatorët, mësimdhënësit, zyrtarët policorë, prindërit, dhe natyrisht vetë fëmijët.

 

Po ashtu, ka filluar zbatimi i planit dinamik të punës që i dedikohet ngritjes së  kapaciteteve institucionale dhe hartimi i raportit shtetëror për zbatim të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Kësisoj Republika e Kosovës ka marrë përsipër përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të cilat sigurojnë realizimin e të gjitha të drejtave themelore e të patjetërsueshme për të gjithë fëmijët në Kosovë.

 

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve,

 

Rekomandimet nga ky takim i yni i sotëm, le t’i përkthejmë në veprime të përbashkëta, të institucioneve dhe organizatave partnere vendore e ndërkombëtare, në angazhim të përbashkët për fëmijët, me fëmijët, për të tashmen dhe për të ardhmen e tyre. Të punojmë bashkë për një shoqëri që nuk i shpërfillë zërat e fëmijëve, që u ofron mundësi të barabarta dhe që mbron mirëqenien e tyre.

 

Shumë të dashur fëmijë,

 

Ruani gjithmonë ndjeshmërinë, kreativitetin dhe kureshtjen që karakterizon moshën e fëmijërisë. Janë shumë të rëndësishme për ju si individë, por edhe të nevojshme për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë.

 

Ua uroj përzemërsisht Ditën e Fëmijëve, ditën tuaj. Gëzuar 1 Qershori e qofshi të gëzuar gjithmonë, jo vetëm me 1 Qershor!

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM