Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, shefi i Zyres të BERZh në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe Sekretari Gjeneral i Hidromoravës Agim Smillaku kanë nënshkruar sot marrëveshjen e grantit prej 2.5 milionë euro për KRU Hidromorava.
Më saktësisht, granti përfshin 1 milion euro për zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërsa 1.5 milion euro për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza.
Projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan kap vlerën totale prej afro 23.5 milionë euro, për të cilat tashmë është siguruar financimi. Implementimi i projektit është në fazën përgatitore dhe deri në fund të vitit pritet të fillojnë punimet në terren.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tejet me rëndësi për regjionin e Anamoravës, pasiqë përforcon kapacitetet e KRU Hidromorava dhe përmirëson kushtet e ambientit përmes trajtimit të ujërave të zeza për rreth 76 mijë qytetarë, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.