Mbi 1 mijë fëmijë nga qendra të ndryshme të Kosovës dhe të komuniteteve të ndryshme, sot, me rastin e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në shënim të kësaj dite, në kuadër të Programit për Edukim Qytetar u organizua po ashtu Punëtori për Demokraci me nxënës filloristë të shkollës “Dardania” në Prishtinë.
Gjatë qëndrimit në Kuvend fëmijët u pritën nga deputetët Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Blerta Deliu Kodra, Albana Bytyçi, Duda Balje, Arjeta Fejza, Isak Shabani, Time Kadriaj dhe Ariana Musliu Shoshi, si dhe zyrtarët gjegjës të Kuvendit.
Gjatë bashkëbisedimit me ligjvënës, nxënësit u njohën me punën, rolin dhe mënyrën e funksionimit të Kuvendit.
Nga ana e tyre deputetët u përgjigjën në interesimin e madh të nxënësve lidhur me aspekte të ndryshme të punës në institucionin përfaqësues, detyrave të deputetit dhe angazhimit parlamentar në funksion të rregullimit sa më të mirë ligjor, mbrojtjes dhe afirmimit të të drejtave të fëmijëve, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.