Policia e Kosovës ka njoftuar se referuar zhvillimeve të sotme, aktiviteteve që mund të realizohen për festimin e “Kurban Bajramit” në Republikën e Kosovës që fillon në orët e hershme të mëngjesit (05:00), si dhe “Vidovdanit” që fillon rreth orës (07:00), në po të njëjtën ditë, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprime planifikuese dhe operacionale për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend.
Edhe këtë vit sikurse edhe vitet e kaluara me qëllim që situata të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë disa masa dhe objektiva strategjike për implementim gjatë ditës së nesërme, si:
-Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.
-Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike.
-Garantimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët.
-Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale.
-Angazhimi i njësiteve policore për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie.
-Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.
-Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterrniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit.
Referuar planifikimeve policore, menaxhmenti i lartë i PK-së kanë pritur në takim zyrtarë partnerët ndërkombëtar, të cilët i kanë njoftuar lidhur me planifikimet dhe aktivitetet policore për ditën e nesërme, planifikime këto që kanë për qëllim krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.
Njëkohësisht Policia fton qytetarët që të festojnë në mënyrë të qetë dhe kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik me rastin e ndërprerjes së përkohshme të rrugëve apo korsive përgjatë kohës së festimeve, pasi sipas nevojës do ti ridrejtojë automjetet në rrugë alternative për qarkullim dhe lëvizje pa pengesa, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.