Në edicionin e 22-të Prishtina International Summer University 2023 mbi 300 studentë dhe profesorë nga pesë kontinente të botës, përfunduan rrugëtimin e tyre.
Për dallim nga edicionet paraprake, ky PISU u dallua për gjithëpërfshirje, ku nën moton #openUP, në bulevardin “Xhorxh Bush”, për dy javë u mbajtën aktivitete të shumta akademike, kulturore e argëtuese.
Gjatë ceremonisë së mbylljes së rektori Qerim Qerimi adresoi një fjalim frymëzues.
“Pjesëmarrja juaj është dëshmi e shpirtit tonë të përbashkët njerëzor, një shpirt që nuk njeh kufij dhe shikon dijen si gjuhën më universale”, u tha Rektori 300 pjesëmarrëve të këtij edicioni të PISU-së.
Ai shtoi se në vitet e ardhshme do të ofrojmë më shumë programe dhe kurse në anglisht, për të lehtësuar dhe nxitur mundësi për shkëmbim me më shumë studentë dhe studiues ndërkombëtarë.
“Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme ku dija na bashkon të gjithëve,” tha Rektori
Sukses të jashtëzakonshëm e konsideroi këtë edicion të PISU-së rektori Qerim Qerimi.
“Shkolla jonë verore u shndërrua një qendër globale, e pasuruar nga perspektivat e secilit prej jush”, tha ai në ceremoninë mbyllëse.
Mbylljen e UVP-së e përshëndetën edhe prorektorja Arta Basha Jakupi, profesori gjerman, Christian Moczala, profesoresha Arbenita Hasani dhe studentë pjesëmarrës.
UVP-ja, përveç 14 kurseve të organizuara, organizoi për studentët edhe punëtori, ekskursione, mbrëmje të filmit, mbrëmje tradicionale të ushqimit, këngës e vallëzimit, prezantime të njësive akademike, e plot aktivitete të tjera, thuhet në postimin në Facebook të UP-së.