Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se është mbajtur takimi i 14-të virtual i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të mbi 50 shteteve, në mesin e tyre dhe Kosova.
Në këtë takim virtual morën pjesë mMinistri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi dhe shefi i Kabinetit të Ministrit, Hasan Hoxha.
Gjatë këtij takimi të udhëhequr nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov njoftoi mbi zhvillimet e fundit të luftës në terren dhe po ashtu për kërkesat mbi kapacitetet e nevojshme dhe mbështetjen e vazhdueshme që duhet ofruar për Ukrainën, shtet ky që më tepër se një vit po lufton stoikisht kundër agresionit rus.
“Kosova qëndron me Ukrainën ngase është me të drejtën, lirinë e popujve dhe sovranitetin e pakontestueshëm të shteteve”, tha Ministri Mehaj.
Më këtë rast, ministri Mehaj theksoi se Ukraina po qëndron e fortë ngase në anën e saj ka të drejtën e pakontestueshme e përkrahjen e shteteve që luftën e Ukrainës e shohin si edhe betejën e tyre, ngase cënimi i lirisë atje është rrezikim i paqes kudo, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.






