Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gratë po çlirohen nga i të qenit “dekor” në politikë

Maj 16, 2020

Në jetën shoqërore e politike në Kosovë është temë e pashmangshme barazia gjinore, e cila është edhe njëra ndër themelet për funksionimin e një shteti demokratik, pasi që gratë përbëjnë 50 për qind të popullsisë, ndërsa barazia në vend sikurse në pozitat udhëheqëse, por edhe e atyre në vendimmarrje nuk është aspak në nivelin e duhur.

Sipas hulumtimit nga viti 2016, “Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë”nga Koalicioni për të drejta të barabarta për të gjithë (ERAC), Ligji për Barazi Gjinore (LBGJ) ishte në zbatim shumë të vogël, si nga institucionet qendrore ashtu dhe nga ato lokale në Kosovë.

Atë botë, në Qeveri si tërësi– në ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit përfaqësimi i grave ishte vetëm 40.6 për qind.

Në zgjedhjet e fundit, ato të gjashtë tetorit të vitit të kaluar, ka pasur ndryshime të shumta, së pari fitorja e opozitës për herë të parë që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Këto zgjedhje prodhuan edhe numrin historik të grave në vendimmarrje, i cili do të jetë më i larti, nga çka qenë ndonjëherë.

Për herë të parë Kuvendi i Kosovës udhëhiqet nga një grua, pikërisht nga Vjosa Osmani, dhe Arbërie Nagavci. Nga ana tjetër, Rozeta Hajdari dhe Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV) drejtojnë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Drejtësisë. E nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami dhe Vlora Dumoshi do të jenë në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkohë që edhe nga ana e minoriteteve, një grua – Emilja Redzepi, nga Partia e Re Demokratike Boshnjake (PRDB), udhëheq Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Një kuotë gjinore e vendosur në Kosovë siguron përfaqësimin e 30 për qind të grave në listat zgjedhore për partitë individuale, si dhe brenda Kuvendit të Kosovës. Aktualisht në Kuvendin e Kosovës janë 38 deputete – dy më shumë se kuota e siguruar minimale 36.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se shumë vende demokratike e aplikojnë në forma të ndryshme kuotën gjinore dhe se gjysma e vendeve të botës sot përdorin ndonjë lloj të kuotës për zgjedhjet për parlament.

Marrë në konsideratë numrin e vogël të grave në politikë, janë duke u rritur thirrjet për aplikim të metodave më efektive për të arritur balancën gjinore në institucionet publike. Aplikimi i kuotave është në mekanizëm i tillë. Edhe në Kosovë aplikimi i kuotës është treguar i suksesshëm. Pas secilit cikël zgjedhor, numri i grave të cilat janë zgjedhur deputete në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë gjinore është rritur”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thekson faktin se vendet me demokraci të brishtë, duhet ta plotësojnë kuotën për gratë në qeverisje.

“Duhet tërhequr vërejtjen se Kosova aplikon kuotë gjinore neutrale, pra nuk është vetëm për gratë, por në rast të nevojës mund të aplikohet edhe për burrat. Po ashtu, kuota gjinore nuk duhet parë si një masë të përhershme, por vetëm derisa të arrihet efekti i synuar. Kuota është e domosdoshme për vendet me demokraci të brishtë, dhe ku faktorë të tjerë historik dhe të traditës shoqërore kanë qenë diskriminuese ndaj përfshirjes së grave në politikë“, shton ai.

Sipas tij, kuota duhet të zëvendësohet vetëm atëherë kur nuk është e rëndësishme, gjithnjë  duhet të aplikohen edhe masa shtesë në mënyrë që përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të jetë më e madhe.

Krasniqi, në veçanti përmend përfshirjen e ulët përfshirjen dhe diskriminimin e grave në fushatat zgjedhore.

 
“Po ashtu, gratë janë të diskriminuara edhe sa i përket paraqitjes në media dhe fondeve të cilat i kanë në dispozicion për të financuar fushatën zgjedhore. Andaj, deri në arritjen e zgjedhjes së të paktën 30 për qind të grave në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë, është mirë që partitë politike krahas saj, të aplikojnë edhe kuota vullnetare në listat e kandidatëve, duke pasur 50 për qind gra dhe 50 për qind burra, dhe renditje në sistemin e zebrës, që çdo i dyti kandidat të jetë grua”, përfundon Krasniqi.

Tek tri partitë e para në dy zgjedhjet paraprake është parë një diskriminim i madh i gruas, si në fushata zgjedhore po ashtu edhe në deputetët e zgjedhur.

Viti 2017 u karakterizua me dominim të burrave nga tri partitë e përzgjedhura – Lëvizje Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). LVV kështu kishte dhjetë deputete, e pasuar nga PDK me tetë deputete dhe LDK gjashtë. Ndërsa, burra ishin: LVV (22), LDK (18) dhe PDK (13), apo gjithsej 53 burra e 24 gra.

Nga zgjedhjet e fundit të tetorit të vjetëm, është vërejtur një rritje e vogël sa u përket deputeteve gra që vijnë nga këto tri partitë e para: LVV dha dhjetë deputete, LDK nëntë dhe PDK tetë, apo gjithsej 27 deputete gra, ndërsa 56 burra.

Legjislaturën e shtatë të Kuvendit aktualisht e përbëjnë gjithsej 39 gra dhe 81 burra, e shprehur në përqindje – 33 për qind gra dhe 68 për qind burra. Numri i grave të zgjedhura me meritë është më i larti ndonjëherë, ku 29 gra janë zgjedhur me meritë e 10 me ndihmën e kuotës.

Marrë parasysh shifrat nga zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë dhe marrë parasysh pozitën e gruas sot, në legjislativ dhe ekzekutiv, e në të gjitha sferat e tjera shoqërore e politike, shihet një përmirësim i konsiderushëm nga vitet e mëparshme.

UNMIK, si Mision i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ishte i pari që aplikoi sistemin e kuotave në Kosovë, më 2000. Përmes kësaj kuote dhe përmes aplikimit të formave të ndryshme për barazi gjinore të lartë është bërë e mundur që Kosova të ketë një përfaqësim të grave në qeverisje prej 30 për qind.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës veçon rolin e madh që ka pasur kuota ndër vite në ngritjen e pozitës së gruas në politikë.

Kuota e përcaktuar 30 për qind, për rrethanat shoqërore në të cilat ka vepruar politika kosovare ka qenë e domosdoshme, për arsye të shumta, veçanërisht për shkak të vështirësive të pranohet gruaja në veprim politik. Pavarësisht se kuota është e përcaktuar, ka gra që arrijnë që pa nevojën e kuotës të depërtojnë, duke shkelë mbi çdo barrierë, bashkë me aftësitë dhe punën e tyre të palodhshme”, thotë Kurteshi.

Sipas Kurteshit, kuota e zbatuar deri më tani ka qenë vetëm sa për “sy e faqe”, dhe se ajo kuotë është zbatuar vetëm për të përmbushur një obligim ligjor.

“Partitë politike kanë përpiluar listat sipas statuteve që i kanë dhe duke u mbështetur në Ligjin e zgjedhjeve, i cili thotë se duhet të kemi përfaqësim gjinor jo më pak se 30 për qind, njëra ose tjetra gjini. Përpos kuotës gjinore, diskriminimi te një grua ka ardhur në forma të ndryshme dhe vende të ndryshme. Gruaja e diskriminuar nuk duhet të heshtë asnjëherë, reagimi i saj duhet të jetë i menjëhershëm pa lejuar të zhvillohet diçka e tillë“,shton Kurteshi.

Trendi i rritjes së numrit të deputeteve ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimit të pozitës  së gruas kosovare ndër vite, e tani edhe pa nevojën e kuotës deputetet po sigurojnë poste duke garuar me të tjerët.

Megjithëse numri i grave në pozitat kryesore në institucionet qendrore është në rritje, aktualisht nuk ka asnjë grua të vetme që shërben si kryetare në asnjë prej 38 komunave të Kosovës.

Kuotat e vendosura nuk i pranon aspak Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sa i përket kuotave, unë gjithmonë kam qenë kundër. Nuk jam përkrahëse e kuotave, sepse mendoj që janë prodhim më shumë i numrave se sa i cilësisë. Besoj e kemi parë edhe vet. Kuotat kanë sjellë gra deputete, të cilat me përjashtime, por në përgjithësi nuk kanë qenë lobuese të çështjeve të grave dhe kërkuese të respektimit të barazisë në përgjithësi”, theksoi Kryeziu-Hyseni.

Deputetja nga radhët e LVV-ës thekson se duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi si shtet, zhvillimin e shoqërisë tonë, megjithatë aktualisht në Kosovë kuotat janë më se të nevojshme.

“Por, një gjë e mirë dhe progresive që ka ndodhur së fundmi, është rezultati që ka dalur nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ku kemi parë që qytetarët kësaj here i kanë besuar shumë grave duke i dhënë votën. Gratë deputete të LVV-ës, që të gjitha kanë fituar mandatet pa pasur nevojë të hyjnë në për llogaritje kuotimi gjinor”, tha ajo.

Edhe deputetja Kryeziu-Hyseni pohon se diskriminimi në politikë te gratë ka qenë i pranishëm dhe vazhdon dhe se për të bërë lëvizje në përmirësimin e kësaj, duhet punë e madhe dhe e pandalshme.

“Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është shumë e ulët, çka edhe pamundëson pavarësimin ekonomik të tyre. Zbatimi i politikave gjinore është më se i domosdoshëm dhe jo vetëm në institucione apo politikë. Por, pavarësisht kësaj, kemi parë që gratë, sot kanë rol çdo herë e më vendimmarrës dhe çdo herë e më të rëndësishëm. Sepse natyrisht, është e pashmangshme, pikërisht për shkak të përgatitjes profesionale të tyre. Sot, gratë kanë thyer tabutë e shoqërisë tonë dhe kanë treguar që politika nuk njeh gjini, por kërkon dije, vendosmëri, stabilitet dhe parime. Këto gratë janë shumë më të afta t’i përmbushin dhe t’iu përmbahen”, thotë kjo deputete.

Uranik Emini

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrimi BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM