Në kuadër të “Institutit Veror 2023” të Teach For Kosova dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është zhvilluar diskutim me udhëheqës të arsimit nga Diaspora.
Ata kanë treguar mënyra se si diaspora mund të përfshihet më shumë në zhvillimin e arsimit në Kosovë derisa kanë theksuar se ka nevojë të investohet më shumë në lexim si dhe në krijimin e një dege të veçantë të analizës së aplikuar të sjelljes.
Egzon Gashi, drejtor Ekzekutiv i Teach for Kosova, ka thënë se synojnë që të sjellin në Kosovë kontributin e diasporës për pjesën më të ndjeshme të shoqërisë.
“Diaspora gjithmonë ka qenë një shtytje e veçantë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën në zhvillimet e tyre në aspekte të ndryshme, por jo edhe aq shumë në fushën e edukimit. Për këtë, kam menduar që përmes Teach for Kosova mund të krijojmë një lëvizje ku kemi edhe njerëz të diasporës që duan të kontribuojnë në arsim, që kthehen në Kosovë për të kontribuuar në arsim dhe që duan të zhvillojnë së bashku pjesën më të ndjeshme të shoqërisë”, ka thënë ai.
E mësimdhënësja e gjuhës suedeze dhe angleze në një shkollë në kryeqytetin e Suedisë, Suzana Aliu, ka folur për rëndësinë që ka lexim-kuptimi.
Tringë Krasniqi-Gashi, mësimdhënëse e fëmijëve me autizëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se çdo shkollë fillore dhe e mesme duhet të ketë analistin e sjelljes.
Ndërsa profesori i edukimit special, Gjergj Haxhiu që gjithashtu vjen nga SHBA-të, ka thënë se është koha që gjenerata e re të bëjë ndryshimin, thuhet në komunikatën për media e Teach for Kosova.