Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit me Mbretërinë Hashemite të Jordanisë një ekipë e ushtrisë Jordaneze ka realizuar trajnimin për Kërkim-Shpëtim Urban në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Pomozotin.
Për tri javë është realizuar trajnimi në pjesën teorike dhe praktike, ku 10 ushtarak nga Jordania dhe 5 nga FSK kanë ndjekur trajnimin për t’u përgatitur me njohuritë bazë dhe të avansuara në temat: Hapja dhe Siguria e rrugëve deri te viktimat përmes thyerjeve dhe prerjeve, dhënien e ndihmës së parë mjekësore, evakuimin e viktimave, etj.
Ministri Mehaj dhe Gjeneral Haziri vlerësuan lartë bashkëpunimin në mes dy ushtrive duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe avansimin e këtij bashkëpunimi edhe në fusha tjera me interes të përbashkët. Kapiten Ahmad nga ushtria Jordaneze falënderoi FSK-në për mundësinë e krijuar për të realizuar trajnimin e Kërkim- Shpëtimit, dhe përgëzoi QNTKSH për aktivitet dhe operacionet e realizuara të kësaj njësie e në veçanti operacionin e realizuar në Republikën e Turqisë pas tërmetit.
“Uroj që të çertifikuarit t’i vëjnë njohuritë e fituara përmes këtij trajnimi kurdo që komuniteti ka nevojë për ndihmën e tyre. Përgëzime për Komandantin e Gardës Kombëtare, trajnerët e FSK-së dhe drejtorin e QNTKSH, John Donne për punën e shkëlqyer që në vazhdimësi është duke u treguar e sukseshme”, theksoi Ministri Mehaj.
Realizimi i trajnimeve në QNTKSH është dëshmi e nivelit të lartë të profesionalizmit të trajnerëve të kësaj qendre, e poashtu e bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi me partnerët tanë strategjik në shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve. Në ceremoninë e certifikimit të pranishëm ishin Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Naim Haziri, Drejtori i QNTKSH, John Donne si dhe oficerë të FSK-së e të NALT-it, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.