Përfundon edicioni i dytë i “Prizrenfest”, festivali i teatrit të hapur që pasuroi kalendarin e skenës kulturore me plot 22 aktivitete teatrore
Prizreni si qytet mikpritës i këtij festivali, e të gjithë artdashësit kosovarë e më gjerë vizituan për shtatë ditë me radhë shfaqje, diskutime e programe për fëmijë, që gjallëruan monumentet e qytetit.
Pjesëtarët e kabinetit të MKRS-së dje takuan organizatorët e festivalit ku u njoftuan rreth ecurisë së realizimit të programit të planifikuar dhe situatës së fushës së teatrit, dhe ndoqën shfaqjen teatrale “Teba: Një Luftë Civile Globale”, produksion i Greqisë me regji të Pantelis Flatsousis dhe me aktorët Vedrana Bozinvoic, Racha Baroud, Albertine Itela, George Kritharas.
Festivali u mbyll me shfaqjen “Life is a Dream”, ku i pranishëm ishte edhe zëvendësministri i MKRS, Sylejman Elshani.
Duke e njohur rolin vendimtar të arteve dhe ngjarjeve kulturore në nxitjen e krijimtarisë dhe promovimin e diversitetit kulturor, Ministria e Kulturës vazhdon t’i mbështesë aktivitetet e tilla duke kontribuar kështu edhe në zhvillimin e përgjithshëm të identitetit kombëtar, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.