Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se kanë diplomuar 17 oficerë të FSK-së, në Republikën e Shqipërisë. Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë në Republikën e Shqipërisë sot organizoi ceremoninë e diplomimit të kursantëve të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursit të Lartë të Oficerit. Në këtë ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gjeneralmajor Arben Kingji, Ambasadori i Republikës së Kosovës i akredituar në Shqipëri, Skënder Durmishi, Atasheu Ushtarak i Republikës së Kosovës i akredituar në Shqipëri kolonel Enver Hoti, Komandantë forcash dhe të njësive autonome të Forcave të Armatosura, drejtorë të Shtabit të Përgjithshëm, pedagogë etj.
Në fjalën e mirëseardhjes, zv/Komandanti i Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, kolonel Emeror Hajdarasi, vlerësoi angazhimin dhe seriozitetin e treguar, si nga e kursantëve, stafit akademik, dhe personelit mbështetës duke treguar vlera dhe arritur rezultate të larta në përfundim të vitit akademik. Ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Kingji vlerësoj punën e stafit drejtues dhe pedagogjik të bërë gjatë vitit akademik nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe përgëzoi kursantët për arritjet e realizuara. Ai falënderoi në veçanti kursantët nga Forca e Sigurisë së Kosovës që zgjodhën Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë për studimet e tyre.
Programet e këtyre dy kurseve siguruan dhënien e njohurive të nevojshme për planëzimin dhe drejtimin e operacioneve luftarake në një mjedis operacional kompleks dhe të paqartë që lidhet me sigurinë kombëtare, aftësimin për të marrë vendime të drejta dhe për të dhënë këshilla të sakta në rastet kur shqyrtohet përdorimi i forcës ushtarake.
Në këtë ceremoni u diplomuan 43 kursantë të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP) 14 prej të cilëve janë oficer të FSK-së dhe 18 të Kursit të Lartë të Oficerit (KLO) 3 prej të cilëve janë oficer të FSK-së, thuhet në postimin në Facebook tëMinistrisë së Mbrojtjes së Kosovës.