Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se me qëllim mundësimin e qasjes së noterëve në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës përmes sistemit digjital, ministrja Rozeta Hajdari, nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përmes këtij memorandumi bëhet përcaktimi i procedurave për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i rregullave të sigurisë, procedurave përkatëse për qasje dhe përdorim të të dhënave, si dhe krijimi i lehtësirave të nevojshme administrative për bashkëpunim ndërinstitucional në mes të institucioneve respektive me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të shërbimit të noterisë.
Digjitalizimi i sistemit noterial në Kosovë do të mundësojë harmonizimin e të gjitha procedurave të brendshme në një sistem të centralizuar e të ndërlidhur që mundëson qasje më të lehtë në shërbime, informata të sakta e të verifikuara në kohë reale, thuhet në postimin në Facebook të MINT-it.