Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
Me këtë rast Presidentja Osmani e uroi ministrin Maqedonci duke i dëshiruar suksese në punë.
Presidentja Osmani vlerësoi lartë arritjen e deritanishme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksoi rëndësinë e angazhimit të mëtutjeshëm në avancimin e FSK-së në zhvillimin e plotë të kapaciteteve profesionale e operacionale në përputhje me standardet e NATO-s.
Dhe në këtë aspekt, në funksion të përmbushjes së synimeve tona si shtet, siguroi se Ministria e Mbrojtjes do të ketë gjithmonë përkrahjen e pakursyer të Presidencës.
Në anën tjetër, ministri Maqedonci tha se duke pasur parasysh rolin kushtetues dhe ligjor të Presidentes Osmani si komandante supreme e FSK-së, bashkëpunimi dhe koordinimi i ndërsjellë do të intensifikohet edhe më tej në zhvillimin e ushtrisë, mirëqenies së ushtarakëve dhe barazisë përmes implementimit të politikave të duhura brenda Ministrisë dhe FSK-së, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.






