Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës -KPP mbajti mbledhjen e radhës, me temë diskutimi ‘Gjendja e krijuar në shkollat e komunës për sistemin arsimor fillor dhe të mesëm të ulët lidhur me mos shpërndarjen e librave nëpër shkolla’. Pas diskutimeve, kryesia e KPP-së, unanimisht doli me këto konkluzione,
KPP shpreh shqetësimin e të gjithë prindërve të komunës për gjendjen e krijuar pas deklaratës publike të Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se këtë vit nuk do të ketë shpërndarje të librave për nxënësit e nivelit të klasave I-IX, ashtu siç ka qenë traditë e aplikuar në Kosovë për vite me radhë.
KPP shprehë brengën e thellë dhe ka mëdyshje në propozimin publik të ministres, për të aplikuar ‘Metodën e Rimbursimit’, që është e panjohur dhe pa testuar paraprakisht, dhe si rrethojë mund të jetë e dështuar që në fillim.
Kjo metodë mund të dështojë kur dihet se shumë prindër nuk kanë llogari në platformën e-Kosova, apo edhe kanë probleme me përdorimin dhe qasjen në pajisje të TI-së;
Po ashtu, problem tjetër i identifikuar është mos posedimi i llogarive bankare nga shumë prindër dhe probleme të tjera që lidhen me kredi apo procese përmbarimore.
KPP, kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të gjejë zgjidhje të shpejtë dhe praktike në sigurimin e librave shkollor para fillimit të procesit mësimor, 1 Shtatorit.
Nëse nuk sigurohen librat me kohë, nga Ministria e Arsimit sikur vitet paraprake, Këshilli i Prindërve të Prishtinës do të shqyrtojë veprime tjera konform situatës së krijuar, thuhet në postimin në Facebook të Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës.