Kryeministri Albin Kurti ka shprehë ngushëllime më të sinqerta familjes Qorraj, me rastin e vdekjes së aktorit të madh të skenës teatrore dhe kinematografike të Kosovës, Xhevat Qorraj.
Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se aktor i gjeneratës së parë profesionistë në Kosovë, me karrierën e artistike mbi pesë dekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.
Kam qenë 10 vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi “Proka” i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën “Proka” të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film.
Të tjera role filmike në filmat “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” dhe deri te filmi “Eternally Child”, e kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit te ne.
Mes kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, dua tu shprehë ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit Xhevat Qorraj si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë.