Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar me këshilltarin në Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, presidentja Osmani ka zhvilluar diskutime përmbajtësore lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.
“Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-ve, e cila është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, ka theksuar Osmani.
Më tej, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve dhe potencoi se Kosova është e interesuar të ecë përpara në rrugëtimin euroatlantik, me mbështetje dhe koordinim me aleatët, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.