Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, shpreh shqetësim për pamjet filmike të publikuara lidhur me qasjen e edukatoreve dhe trajtimin ndaj një fëmije 3 vjeçar në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.
Momentet e të ushqyerit, pushimit, gjumit apo aktiviteteve dhe lojrave të tjera, janë të natyrës edukative dhe rekreative. Prandaj, çdo qasje e papërshtatshme, e vrazhdë apo e dhunshme e përdorur nga edukatoret, për të detyruar fëmijën që t’i realizojë ato përmes presionit, tërheqjes, zvarritjes, dhunës verbale apo fizike, përbën një shkelje të rëndë e cila dëmton të gjitha sferat e zhvillimit të fëmijës.
Çfarë nevojash kanë fëmijët?
Nevoja më themelore e një fëmije është dashuria dhe kujdesi i prindërve, edukatorëve dhe gjithë atyre që e rrethojnë. Fëmijët kanë nevojë për dashuri, t’i përqafojmë, t’i shohim në sy, t’ua përmendim emrat, t’i lavdërojmë, të qeshim bashkë me ta. Ky është themeli i një lidhjeje të sigurtë dhe të shëndetshme emocionale me fëmijën.
Fëmijët kanë nevojë të ndihen të sigurtë dhe të mbrojtur fizikisht dhe emocionalisht, në secilin mjedis, të cilin ne duhet t’ua sigurojmë.
Fëmijët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje emocionale, për të kuptuar dhe trajtuar emocionet dhe sfidat e tyre. Ata duhet të ndihmohen për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë duke i nxitur aftësitë e vetëpërmbajtjes, vetëbesimit, vetëvlerësimit, aftësitë kongnitive dhe njohëse, përfshirë njohjen e vetes.
Në Kosovë çdo formë e dhunës përfshirë dhunën fizike, atë psikologjike dhe neglizhimin, është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe legjislacionin tjetër përkatës.
Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
KOMF bën thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla.
KOMF rithekson edhe një herë se kopshtet duhet të kenë politikë apo rregullore të posaçme për mbrojtjen e fëmijës me qëllim të krijimit të një sistemi të brendshëm që parandalon dhe reagon ndaj shkeljeve të të drejtave të fëmijës.
Ne kemi përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët tanë zhvillohen në mjedis të sigurtë dhe përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen dhe janë themel i zhvillimit të shoqërisë, thuhet në komunikatën për media e KOMF-it.