KMDLNj përmes reagimeve publike ka kërkuar që të përmirësohen kushtet e punës për policët e Kosovës sepse ka vlerësuar se ato janë në shpërputhje me punën që e bëjnë. Policët e Kosovës për shumë vite nuk janë furnizuar me uniforma dhe këpucë prandaj janë detyruar që uniformat dhe këmishat t’i dërgojnë në dyqanet ku ngjyrosen rrobat kurse këpucët, varësisht nga gjendja materiale i kanë blerë vet.
KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme në të ciën do të diskutohej dhe dalin me një qëndrim që sa më parë që të jetë e mundur të krijohen kushtet për sigurime shëndetësore dhe sigurime jetësore për policët e Kosovës dhe të ndërmarrin veprime tjera për përmirësimin e kushteve për policët e Kosovës, si shtyllë e pazëvendësueshme e ruajtjes dhe funksionimit të shtetit.
Policëve iu është hequr shtesa për rrezikshmëri, rrogat deri vonë ishin të ulëta dhe furnizimi me pajisje që janë të domosdoshme për punën e tyre kanë qenë të mangëta. Gjatë disa operacioneve të njësive speciale të policisë ka munguar ushqimi i cilësisë së nevojshme kurse, në disa raste vet banorët kanë dërguar ushqim për policët. Ndërkaq, institucionet e Kosovës kanë dështuar të përmbushin detyrimet ndaj një shërbimi shumë specifik që është edhe dhe shtylla kryesore për mbrojtje të rendit kushtetues siç është sigurimi shëndetësor dhe sigurimi i jetës.
Në një sulm të strukturave të organizuara kriminale në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos edhe një polic i Kosovës i cili pas trajtimit u lirua nga spitali. Në të njëjtën kohë u vranë katër sulmues (flitet se numri është më i madh) kurse, numri i të plagosurve nuk dihet. Janë arrestuar gjashtë sulmues prej të cilëve dy ishin plagosur dhe trajtuar në QKUK.
Rreshteri Afrim Bunjaku ra duke e mbrojtur betimin për ruajtjen dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Kosovës kurse serbët e armatosur u vranë duke e sulmuar dhe në përpjekje për ta rrënuar rendin kushtetues të Kosovës. Për KMDLNj–në, nga aspekti i të drejtave të njeriut është me shumë rëndësi trajtimi i të arrestuarve gjatë arrestimit dhe pasi janë dërguar në mbajtje sikur edhe trajtimi profesional në QKUK-ë për sulmuesit që ishin plagosur. Së paku, deri më tani nuk ka ndonjë ankesë nga të arrestuarit. Trajtimi i tyre në vazhdim është përgjegjësi e institucioneve përgjegjëse të drejtësisë dhe KMDLNj–ë është i sigurt se ata do të trajtohen sipas ligjeve në fuqi duke respektuar të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria.
KMDLNj në çdo reagim ka kërkuar që policët të kenë sigurim shëndetësor dhe jetësor sikur që e kanë në çdo vend normal. Përveç premtimeve, asgjë nuk është bërë në përmbushjen e këtyre të drejtave që iu takojnë të gjithë qytetarëve kurse, zhveshja e policëve nga këto të drejta, sa normale aq edhe të domosdoshme nuk ka asnjë arsyetim logjik.
Përkundër kësaj, policia e Kosovës ka qenë dhe mbetet institucioni më profesional dhe më i besueshëm në përmbushje të mandatit të saj kushtetues, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më tani. Për ta ruajtur nivelin profesional të policisë së Kosovës, institucionet e shtetit duhet të krijojnë kushte pune dhe kushte më të mira për jetë për policët e Kosovës e jo që në vend të përmbushjes së këtyre kushteve të ofrojnë një retorikë politike që përdoret vetëm gjatë ngjarjeve të rënda siç ishte rënia në detyrë e rreshterit Afrim Bunjaku.
KMDLNj bënë thirrje publike për përmbajtje nga fjalori nxitës, fjalori i urrejtjes dhe paragjykues dhe, në të njëjtën kohë duhet të punohet për uljen e tensioneve, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.