Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), me përkrahje të Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovës (SDC), përkatësisht Projekti “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH)” dhe Projekti “Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS)”, ka organizuar Simpoziumin Ndërkombëtar tre ditor për Sëmundjet Kronike Jo-Ngjitëse (SKJN).
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, në këtë simpozium bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar sivjet planin e ri të veprimit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor (2023-2025), përmes të cilit synohet përmirësimi i shëndetit, mirëqenia e popullatës dhe adresimin e përcaktuesve socialë të shëndetit përmes një qasjeje multi-sektoriale. Ai ka theksuar rëndësinë e ruatjes dhe përparimin e shëndetit përmes edukimit dhe promovimit shëndetësor.
“Në proces është Plani i Veprimit për Sëmundje Kronike Jo Ngjitëse (2023-2025) me objektiv kryesor zvogëlimin e sëmundshmërisë, barrës dhe vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet kronike jo-ngjitëse. Me qëllim të adresimit të sfidave në shëndetësi po punojmë në disa drejtime, duke filluar nga rritja e buxhetit për shëndetësinë, përmirësimet infrastrukturore, hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike përkatëse, rritjen e buxhetit për listën esenciale të barnave dhe sigurimin e cilësisë së tyre, etj”, tha Vitia.
Në këtë simpozium që adreson sëmundjet kronike jo ngjitëse nga aspekte të ndryshme, po marrin pjesë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe përveç aspektit shëndetësor, ai ka rëndësi edhe në krijimin e bashkëpunimeve në këtë fushë midis vendeve të ndryshme.
Qëllimi i këtij simpoziumi është shkëmbimi i praktikave më të mira, përfshirja e informatave në Planin e Kosovës për SJN-të, dhe gjenerimi i veprimeve dhe rekomandimeve të qëndrueshme për trajtimin e sfidave të SJN-ve. Simpoziumi është i akredituar nga Oda e Mjekëve dhe Oda e Infermierëve në Kosovë dhe është duke u përcjellë nga shumë pjesëmarrës, përfshirë folës të mirënjohur ndërkombëtarisht, thuhet në komunikatën për media e MSh-së.