Save the Children Kosova/o, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) lansojnë Raportet Hulumtuese mbi Modelin dhe Rëndësinë e Investimit në Qendrat e Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (KZhEFH) me Bazë në Komunitet, më 5 tetor 2023 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Raporti hulumtues mbi Modelin e Qendrave me Bazë në Komunitet të pilotuar nga Save the Children Kosova/o ndërmjet viteve 2015-2023, thekson ndikimin pozitiv të këtij modeli në ofrimin e qasjes dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të integruara dhe gjithëpërfshirëse të Qendrave të Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (KZhEFH) me Bazë në Komunitet në Kosovë.
Modeli i integruar i KZhFH me bazë në komunitet është një nga modelet më të suksesshme të zbatuara nga SCiK në Kosovë. Duke e përdorur këtë model, komunat do të jenë në gjendje të arrijnë një numër më të madh fëmijësh me kosto shumë të përballueshme, duke e bërë këtë model më të qëndrueshëm dhe me mundësi për replikim të mëtejshëm nëpër komuna të Kosovës. SCiK punon ngushtë me komunat, shkollat, prindërit/kujdestarët dhe komunitetin. Gjatë 8 viteve të fundit (2015-2023), SCiK ka arritur t’i themelojë 27 qendra me bazë në komunitet në 27 fshatra të ndryshme, në 10 komuna të Kosovës. Financimi strategjik i arsimit dhe avokimi i SCiK me bartësit e detyrave në nivel qendror dhe lokal ka mundësuar një rritje prej 7% të qasjes së fëmijëve 0-5 vjeç në shërbimet e KZhFH me bazë në komunitet, krahasuar me normat totale të regjistrimit në vend të vitit të kaluar.
Ligji i ri për Edukimin në Fëmijëri të Hershme (MASHTI, 2023) parasheh qendrat me bazë në komunitet (në veçanti Neni 13 Ofruesit e programeve të kujdesit, zhvillimit dhe edukimit, pika 1.2. Institucionet/qendrat me bazë në komunitet). Për më tepër, një nga qëllimet kryesore të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim në Kosovë 2030 (SKZHK 2030) janë rritja e numrit të regjistrimit të vajzave dhe djemve në arsim cilësor dhe të integruar në fëmijërinë e hershme. Prandaj, ky hulumtim synon të ofrojë udhëzime me informata të detajuara për funksionimin e Qendrave me Bazë në Komunitet (Qendrat e KZhFH), duke filluar nga faza e planifikimit deri në funksionimin e pavarur të këtyre qendrave. Udhëzuesi ka rëndësi të veçantë për rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve në nivel qendror, lokal dhe komunitar lidhur me rëndësinë e investimit në programet e fëmijërisë së hershme, e veçanërisht në modelin e qendrave me bazë në komunitet si metodë alternative dhe e përshtatshme për ofrimin e shërbimeve cilësore të KZHFH-së për fëmijët dhe komunitetet.
Bazuar në kriteret e vlerësimit të përcaktuara nga Komiteti i Asistencës për Zhvillim (DAC) i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), në vitin 2022, SCiK zhvilloi një Hulumtim për të vlerësuar Ndikimin, Qëndrueshmërinë, Rëndësinë, dhe Efikasitetin e programimit saj mbi Kujdesin, Zhvillimin dhe Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Të gjeturat e hulumtimit theksojnë se katër fushat kryesore të zhvillimit të fëmijëve u përmirësuan me një normë mesatare prej 88% vitin e kaluar (duke mbuluar zhvillimin motorik, shkrim-leximin emergjent, numërimin emergjent dhe zhvillimin social-emocional).
Gjetjet cilësore tregojnë se programi gjithëpërfshirës dhe udhëzimet e ofruara nga edukatorë të cilët janë trajnuar vazhdimisht, mjedisi mikpritës dhe miqësor për fëmijët, librat, lodrat dhe burimet e tjera didaktike, mbështetja e prindërve dhe mobilizimi i shërbimeve komunale për të ofruar mbështetje të integruar kontribuan në rezultatet pozitive në të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijës.
Mirëpresim mbulimin e kësaj ngjarjeje dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë event, ku pjesëmarrës do të jenë: Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit (MASHTI), Drita Kadriu, drejtore e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Mitrovicë, Labëri Luzha, udhëheqëse e divizionit për edukim parashkollor në MASHTI, Linda Hoxha, PhD dhe Prof. Ass. Dr. Majlinda Gjelaj, nga Universiteti i Prishtinës, si dhe akterë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të agjencive të ndryshme dhe pjesëtarë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e Save the Children Kosova/o.




