Build Skills with our trainings

Sign up now!

Trashëgimia e grave,një përballje e padrejtë me kontekstin kulturor

Maj 18, 2020

Gratë kosovare shpesh heqin dorë nga e drejta e tyre për trashëgimi për shkak të ndikimit të traditës dhe zakoneve që parapërcaktojnë rolet e të qenurit “burrë” apo “grua”. Për më tepër, shumë rrallë bëjnë përpjekje për të ndryshuar këtë mendësi të strukturës shoqërore. Ato konsiderojnë se pasuria e tyre janë “marrëdhëniet stabile me vëllëzërit dhe prindërit e tyre”, dhe në mes të vlerave shpesh zgjedhin të përcaktohen për vlerat shpirtërore para atyre materiale.

Ermira, 29 vjeçare nga Prishtina, mendon se ndarja e trashëgimisë as që duhet diskutuar, sepse ajo “domosdoshmërisht” ju takon burrave.

 “… shoqëria jonë është një shoqëri patriarkale, e drejta e pronës nuk diskutohet dhe dihet qe meshkujt e familjes do ta trashegojnë atë, dhe rrjedhimisht shumica e grave për të pasur një komunikim më të mirë me familjen nuk e kërkojnë atë”.

Disbalanca e dukshme në ndarjen gjinore të pronësisë në Kosovë është më se e dukshme. Nga gjithsej 546,046 pronarë të evidentuar më 2019 në Agjencinë Kadastrale të Kosovës,  440,268 ose 80.63% janë pronarë të gjinisë mashkullore, e vetëm 94,961 ose 17,39% të gjinisë femërore.

Neni 7.2 i Kushtetutës së Kosovës ‘’…siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje si të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.’’

Ndërkohë që Neni 46 i Kushtetutës së Kosovës ua garanton të gjithë qytetarëve të drejtat e tyre në pronë, gratë kosovare ende luftojnë për tejkalimin e barrierave kulturore të cilat u pengojnë në trashëgiminë e pasurisë së paluajtshme nga familja e tyre e lindjes dhe nga bashkëshortët. Legjislacioni, ndonëse në shikim të parë duket se i plotëson standardet europiane të barazisë, ekziston përbrenda kontekstit kulturor ku të drejtat e barabarta të trashëgimisë për gratë nuk janë (gjithnjë) normë.

Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, gjurmët e të cilit ende janë të pranishme në trevat tona, gratë janë të përjashtuara nga trashëgimia familjare, dhe bartja e pronës tek gratë ka nënkuptuar bartjen jashtë vijës trashëgimore. Për më tepër, kuptimi tradicional për gratë të pranojnë trashëgiminë e tyre është parë si turpërim për burrat apo si paraqitje e turpshme në publik, si mungesë e mbështetjes të të afërmve burra.

Një hulumtim i USAID-it ka treguar se madje 73% të qytetarëve në Kosovë nuk kanë njohuri themelore për të drejtat e tyre pronësore. Sipas po të njëjtit hulumtim, vetëm 3,8% të grave në Kosovë trashëgojnë pronën e paluajtshme nga prindërit e tyre, dhe vetëm 19% të grave në Kosovë posedojnë pronë të paluajtshme në emër të tyre.

Ndërkohë që gratë kanë mbrojtje të caktuar ligjore, përkundër disa përmirësimeve të arritura edhe përmes aktiviteteve e projekteve edhe të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë ende zotërojnë përceptimet tradicionale që pasqyrohen sidomos në procedurat e trashëgimisë.

Shumë gra kosovare edhe tutje, me vetëdije heqin dorë nga e drejta e tyre pronësore, nga frika se familja do i dëbojë nëse e marrin guximin të kërkojnë të drejtat e tyre të barabarta si anëtarët meshkuj të familjes.

A.Krasniqi, një grua 37 vjeçare nga Suhareka, thotë që trashëgiminë nuk e ka marrë vetëm për shkak të prindërve.

… as nuk e kam përmend, nuk doja të prishja marrëdhëniet e mira që i kam me prindërit. Ata nëse do të donin, do të më përfshinin në trashëgimi pa iu treguar unë.”

Problemet rreth trashëgimisë, nga tjetër, nuk kanë lindur vetëm në rrafshin vajza-prindërit-djemtë, por edhe gjatë kërkimit të drejtës në pronë pas vdekjes së bashkë shortit.

Udhëzimi administrativ për Masat e Posaçme për Regjistrimin e Përbashkët të Pronës së Paluajtshme në Emër të të dy bashkëshkortëve, i detyron të gjitha institucionet qëndrore dhe vendore si dhe organet publike që të zbatojnë masa të posaçme të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta.

Regjistrimi i të dyve – burrit dhe gruas si partnerë, është një mundësi më e mirë që gruaja të marr pjesën e trashëgimisë, kur ajo kërkon pronësinë ndaj të afërmve ose të ndjerit. Në ndërkohë edhe prona e fituar nga bashkëshortët gjatë martesës konsiderohet si pronë e përbashkët edhe nëse ajo nuk është e regjistruar në emrin e të dyve. Megjithatë, për çdo transaksion të mëtejshëm në lidhje me pronën e paluajtshme, të dhënat në regjistër vazhdojnë të shërbejnë si bazë për diskutimin e të drejtave kontraktuese.

Se shumëçka po ndryshon edhe në vetëdijësimin rreth të drejtave në trashëgimi në shoqërinë kosovare, dëshmon edhe rasti i Valbonës, një grua 52 vjeçare nga Prishtina, e cila me vite luftoi për të drejtën e saj dhe të fëmijëve.

 “… para 10 viteve kur më ka vdekur burri, vjehrri së bashku dhe kunetët më rzunë nga shtëpia. Ndoshta po të lindja një djalë nuk do të më rzinin. Sigurisht që unë kam luftuar për të marrë trashëgiminë e cila më takonte mua. E fitova shtëpinë,e shita, dhe tash jetoj në banesë së bashku me vajzat e mija”.

Si rezultat, korniza aktuale legjislative është e pamjaftueshme që të ballafaqohet me praktikat tradicionale dhe ekziston nevoja për legjislacion dhe rregulla procedurale më të qarta dhe të përpikta, gjithashtu ende duhet vazhduar vetëdijesimi i grave për të drejtat e tyre në trashëgimi, trashëgimia nuk nënkupton prishjen e relacionit me familjarët, trashëgimia ka të bëjë kryekëput me ndarjen e pronës në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave.

Rinor Alili

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrimi BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM