Pas mbledhjes së 169-të të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media ku ka thënë se në margjina të Samitit të Këshillit Evropian në kuadër të dialogut në Bruksel ka zhvilluar takim me krerët e Bashkimit Evropian, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak. Ky takim u zhvillua pas vizitës që pesë emisarë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin në Kosovë me datën 21 tetor të këtij muaji meqë rast ata ofruan edhe një plan propozim të tyre për ecjen përpara.
Kryeministri Kurti tha se takimi ishte mundësi e mirë për të kërkuar nga krerët e Bashkimit Evropian më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë prej nga edhe erdhi agresioni ndaj Kosovës me paramilitarët të cilët e kryen sulmin kriminal e terrorist të sponsoruar nga Serbia, e po ashtu ka kërkuar ndëshkimin dhe sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist ndaj Kosovës pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje.
Ne nuk i kërkojmë sanksionet për hirë të ndëshkimit por i kërkojmë sanksionet si ndëshkim për hirë të mos përsëritjes.
Ju të gjithë e dini se i kemi pasur 16 barrikada për tre javë në dhjetor të vitit të kaluar, pastaj kemi pasur plagosjen dhe lëndimin e rreth 90 pjesëtarëve të KFOR-it, një duzinë policëve të Kosovës dhe jo pak gazetarëve në fund të muajit maj të këtij viti, si dhe rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq më datën 14 qershor të këtij viti. Ndërkaq më datë 24 shtator e vranë rreshterin Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës. Nuk kemi nevojë për episodin e pestë dhe për të mos pasur përsëritje të dhunës së tillë vrastare është i domosdoshëm ndëshkimi, sanksionimi i Serbisë.
Grupi paramilitar terrorist i Milan Radoici-it dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen nga Serbia në Kosovë dhe në Kosovë të përballen me drejtësinë. Republika e Kosovës është vendi më demokratik i rajonit dhe me sundimin e ligjit të nivelit më të lartë, vlerësuar edhe nga “World Justice Project” andaj pikërisht në Kosovë ata do ta kishin gjykimin e drejtë dhe fer, aq më tepër që ai do të ishte edhe i monitoruar nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX-i.
Kurti ka thënë se për progresin demokratik dhe ekonomik të saj Kosova meriton ta ketë sa më parë statusin e vendit kandidat për Bashkim Evropian dhe që njohjes së Kosovës t’i bashkohen edhe pesë shtete mosnjohëse, atyre 22 që na e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq për ta rritur sigurinë e Kosovës por edhe të rajonit në përgjithësi, Partneriteti për Paqe, marrëveshje me NATO-n drejt anëtarësimit në Aleancën Veri-atlantike është edhe nevoja edhe zgjidhja. Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.
Në këtë drejtim unë iu rikujtova që më 27 shkurt në Bruksel e kemi pranuar Marrëveshjen Bazike, gjashtë fjali në preambulë, 11 nene dhe Aneksin e Zbatimit në Ohër më 18 mars me 12 pikat e tij.
Por në të dy rastet, edhe më 27 shkurt në Bruksel edhe më 18 mars në Ohër pala serbe, përkatësisht presidenti i Serbisë ka refuzuar që ta nënshkruajë marrëveshjen. Ndonëse ka thënë që e pranon marrëveshjen edhe është dakord me tekstin e saj me përmbajtjen e saj.
Unë nënshkrimin e marrëveshjes e ofrova edhe në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor ku Serbia e cila përfaqësohej me kryeministren e saj gjithashtu refuzojë sikurse presidenti i Serbisë. Ndërkaq në takimin e 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë na është thënë që drafti për vetmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje.
Ndërkaq, dje në Samitin e Këshillit Evropian në Bruksel para krerëve të Bashkimit Evropian ne ofruam që para tyre si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Implementues të Ohrit të 18 marsit, dhe propozimin për zbatimin e nenit 7-të të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10-të, pra për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në propozim.
Kryministri Kurti tha se nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Këtë ua kemi thanë shumë qartë dje, duke theksuar që Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja dhe vendi ku do të duhej të ndodhte kjo. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetmenaxhim apo zbatimin e nenit 7-të të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10-të të Marrëveshjes Bazike gjithnjë.
Qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb kanë të drejta të garantuara dhe të zgjeruara me Kushtetutën e Republikës sonë, gjuha serbe është gjuhë zyrtare gjithandej Kosovës në të gjitha nivelet e administratës, 17 për qind të përfaqësuesve lokal nëpër Kuvendet Komunale janë serb, ndërkaq 10 vende janë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Parlamentin e Republikës së Kosovës të cilët po bojkotohen dhe nuk po shfrytëzohen. Ne e dimë që deputetët e shfrytëzojnë vullnetin e lirë që nganjëherë edhe të bëjnë bojkot përkohësisht për naj çështje. Mirëpo, ta bësh bojkotin tërë kohën nga pozita e ulëses së rezervuar, ky është një dëm i madh që i bëhet komunitetit serb së pari, e më pastaj është edhe përpjekje për ta dëmtuar shtetin e Kosovës.
Le të mos harrojmë që nga viti 2008 deri më tani 62 për qind buxheti i alokuar i Republikës së Kosovës për komunat për kokë banori është më i lartë në 10 komunat me shumicë serbe sesa në 28 komunat e tjera. Pra, kemi bërë përllogaritje nga viti 2008 kur është shpallur Pavarësia e Kosovës.
Ne e duam integrimin e serbëve në jetën institucionale e shoqërore në Kosovë. Ata që integrohen gjithmonë jetojnë më mirë.
Ai tha se pas më shumë se një dekade të insistimit në Asociacion, në Zajednicë, Serbia dje ka refuzuar që të nënshkruante një draft për vetmenaxhim që është sjellë nga vetë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një kohë krizash të shumta, takimi në nivel të lartë që u bë në margjina të Samitit të Këshillit Evropian, tregon për rëndësinë që Bashkimi Evropian dhe krerët e Bashkimit Evropian i kushtojnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Republika e Kosovës e çmon lartë angazhimin e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të krerëve të tyre, të emisarëve të tyre dhe i falënderojmë për rolin dhe kontributin e tyre.
Në fund të konferencës kryeministri Kurti tha se tani është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist e kriminal ndaj Kosovës si dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve. Për atë që dakordohemi duhet ta nënshkruajmë. Nënshkrimi është pranim dhe nënshkrimi është garanci për zbatim, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.