Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e parë të grupit punues për Hartimin e Koncept Dokumentit për rregullimin e fushës së Vlerësimit të pronave të paluajtshme.
“Avancimi i kësaj kornize në Republikën e Kosovës, ka rëndësi tejet të madhe posaçërisht në sektorin financiar. Gjithashtu, edhe ndikim të rëndësishëm në paraqitjen e gjendjes reale të pasqyrave financiare”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh se vlerësimi që mbështetet në parime të përgjithshme, të unifikuara dhe me mekanizma të mbikëqyrjes, ndihmon në përcaktimin e drejtë të vlerës së pronave, parandalon transaksione të dyshimta të shpëlarjes së parasë dhe evazionin fiskal.
Kryeministri Kurti tha se për efektivitet më të lartë në sektorin privat e publik, rritje ekonomike të vendit dhe mundësi më të mëdha për investimet në patundshmëri nga investitorë të vendit e të huaj, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Nismat e reja normative zakonisht nisin për të rregulluar një çështje që mund ta parashikojmë që mund të ndodhë, ose marrim mësim prej praktikave e përvojave tona të mëhershme për të përmirësuar diçka. Nisma për rregullimin e fushës së vlerësimit të pronave të paluajtshme, duket se i përbën të dyja këto.
Ju falënderoj për ftesën që më keni bërë që të jam pjesë e këtij takimi të parë me juve sot. Ju pret një punë e madhe përpara. Avancimi i kësaj kornize në Republikën e Kosovës, ka rëndësi tejet të madhe posaçërisht në sektorin financiar. Gjithashtu, edhe ndikim të rëndësishëm në paraqitjen e gjendjes reale të pasqyrave financiare.
Në kontekstin aktual që kemi, fusha e vlerësimit të pronave të paluajtshme, rregullohet me disa akte normative, të cilat përcaktojnë rregulla vetëm për qëllime të caktuara të vlerësimit. Rregulla të tilla që kryesisht janë të përgjithshme për qëllime të tatimit në pronë, shpronësim apo këmbim me pronën publike, si dhe vlerësimin e pronës me kërkesë të bankave në lidhje me transaksionet, në të cilët pasuria e paluajtshme përdoret si kolateral për çfarëdo instrumenti kreditor të lëshuar nga institucionet financiare.
Pavarësisht këtyre, megjithatë një pjesë e konsiderueshme e fushës së vlerësimit është e parregulluar. Nga ajo çfarë është parë deri më tani kërkohet të unifikohet procedura, të përcaktohen qartë parimet e përgjithshme të vlerësimit dhe standardet, të parashihen mekanizmat dhe mjetet e kontrollit të vlerësimit, e në veçanti, të rregullohet vlerësimi i pronave të paluajtshme për qëllime private, licencimi i vlerësuesve dhe rregullimi i statusit juridik të agjencive të patundshmërive.
Vlerësimi që mbështetet në parime të përgjithshme, të unifikuara dhe me mekanizma të mbikëqyrjes, ndihmon në përcaktimin e drejtë të vlerës së pronave, parandalon transaksione të dyshimta të shpëlarjes së parasë dhe evazionin fiskal.
Në anën tjetër, sa më i saktë tatimi në pronën e paluajtshme, ajo menjëherë korrespondon me cilësinë e jetës së banorëve në një zonë të caktuar. Përcaktimi i vlerës, ndikon edhe në respektimin e të drejtave pronësore me ç ‘rast rritet siguria juridike për pronat dhe mund të parandalojmë shumë konteste juridiko-pronësore. Pra, sa më saktë në vlerësim, bëhemi më të drejtë. Sa më të drejtë në procedurë, jemi më efikas edhe karshi institucionit e veçanërisht ndaj qytetarit.
Zbrazëtinë e këtij kuadri ligjor duhet ta bëjmë të dukshme në mënyrë gjithëpërfshirëse, e me analiza të qarta. Përmes Koncept Dokumentit që do ta punoni ju, uroj të gjeni opsionin më të përshtatshëm për rregullimin e saj. Për efektivitet më të lartë në sektorin privat e publik, rritje ekonomike të vendit, dhe mundësi më të mëdha për investimet në patundshmëri nga investitorë të vendit e të huaj.