Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gjetjet kyçe të Raportit për Kosovën për vitin 2023

Nën 8, 2023

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023. Mungesa e vazhdueshme e bashkëpunimit ndërpartiak dhe mosmarrëveshjet brenda shumicës rezultuan të ishin sfiduese për reformat. Veç kësaj, deputet e Srpska Lista i bojkotuan punimet e Kuvendit. Megjithatë, periudha raportuese dëshmoi arritje të rëndësishme legjislative, duke përfshirë reformën zgjedhore.

Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje ende ruan shumicën solide në Kuvend dhe ka vazhduar ta shtyjë përpara agjendën e vet ambicioze për reforma të BE-së.

Përgjithësisht, Kosova ka mbetur e angazhuar në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të demonstrojë përkushtim më serioz, të investojë më shumë përpjekje, si dhe të bëjë kompromise për ta çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kosova duhet t’i mbajë zotimet e veta të Dialogut dhe të përkushtohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Nga Kosova dhe Serbia pritet të angazhohen në mënyrë më konstruktive për të mundësuar fillimin e negociatave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, si dhe të tregojnë fleksibilitet për të arritur progres të shpejtë dhe konkret.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht esencial në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit. Situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza me intensitet të ndryshëm për një numër të çështjeve, me një sulm të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, që përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit. Në kuadër të këtij sulmi u gjetën sasi të mëdha të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

BE pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë, si dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Kriza të tjera gjatë periudhës raportuese u shkaktuan nga çështjet e lirisë së lëvizjes, në veçanti çështja e targave, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 29 qershor 2022 për të zbatuar ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të Kosovës. Kjo çoi në tensione në korrik 2022 dhe vazhdoi përmes ngritjes së bllokadave nëpër rrugë dhe dorëheqjes kolektive të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022. Pas tërheqjes së serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, në katër komunat e veriut të Kosovës u organizuan zgjedhje të pjesshme lokale.

Të planifikuara fillimisht për dhjetor 2022 dhe më pas të shtyra për 23 prill 2023, zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune dhe kuvende komunale u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, si dhe u bënë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Megjithatë, përkundër Marrëveshjes historike për rrugën drejt normalizimit të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, Maqedoni e Veriut, më 18 mars 2023, dhe pavarësisht se Kosova e zgjati afatin për regjistrimin e kandidaturave për zgjedhjet e pjesshme lokale, jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar. Pjesëmarrja shumë e ulët (3.47% e votuesve), pas bojkotit nga komuniteti serb i Kosovës, tregoi se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Mbetet e domosdoshme që të rikthehet një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policimin dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Në të katër komunat duhet të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e parakohshme lokale, të organizuara në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për de-përshkallëzim, dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, BE-ja po zbaton një numër të masave kundrejt Kosovës, të cilat gjithashtu ndikojnë në mbështetjen financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por ka edhe më shumë që duhet bërë.

Në lidhje me reformën e administratës publike, rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar sa duhet. Legjislacioni i ri për zyrtarët publikë dhe pagat u miratua nga Kuvendi duke përdorur procedura të shpejta. Ligji për pagat është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Ligji i ndryshuar për zyrtarët publikë rrezikon të krijojë dhe përkeqësojë hendekët ekzistues në kapacitetet administrative.

Kosova është në fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionon mirë. Ka pasur progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese. Mbetet nevoja për forcimin e instrumenteve ekzistuese që mbrojnë integritetin, llogaridhënien, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë dhe udhëheqësit e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët Zotimi dhe plan veprimi për reformën në drejtësi. Nevojitet përcjellje e shpejtë për të arritur rezultate të prekshme.

Kosova është ndërmjet fazës së hershme dhe njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese është arritur progres i kufizuar dhe korrupsioni mbetet çështje shqetësuese. Teksa vitin e shkuar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimin penal është e avancuar, mbetet shumë për t’u bërë për zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Përkundër përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk përdoren plotësisht. Kosova duhet t’i shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore të formës së prerë dhe konfiskim përfundimtar të aseteve.

Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Është arritur progres i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore, si dhe ka përmirësuar kapacitetet për inteligjencë dhe analizë. Kanë vazhduar operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar. Përkundër sa më lart, ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht mjetet e fuqishme të parapara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese.

Kosova mbeti aktive në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Korniza ligjore kundër terrorizmit është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ligji për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duhet ende të ndryshohet. Autoritetet duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave.

Korniza ligjore përgjithësisht garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe atyre themelore në harmoni me standardet evropiane. Teksa është përmirësuar kapaciteti për monitorim të zbatimit të politikave dhe legjislacionit, kërkohen përpjekje të mëtejshme për zbatim efektiv të të drejtave themelore. Institucioneve relevante duhet t’u ndahen më shumë burime njerëzore dhe financiare. Kanë vazhduar përpjekjet për përmirësim të barazisë gjinore, por Kosova duhet ta forcojë më tej zbatimin e legjislacionit.

Kosova ka kornizë ligjore të vendosur mirë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë. Megjithatë, nevojiten veprime të mëtejshme për çështjet e vjetra siç janë mungesa e qasjes së barabartë në arsim dhe punësim, mungesa e pajtueshmërisë gjuhësore dhe përfaqësimi i ulët në institucionet publike, duke përfshirë komunitetet rom dhe ashkali.

Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes sa i përket lirisë së shprehjes. Është arritur progres i kufizuar në adresimin e rekomandimeve të raportit të mëparshëm. Vazhdojnë shqetësimet në lidhje me sulmet dhe kërcënimet fizike, fushatat e shpifjeve publike dhe gjuhën e urrejtjes. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës vazhduan të arrijnë progres në menaxhimin e migracionit dhe janë angazhuar me BE-në për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor të paraqitur në dhjetor 2022 nga Komisioni. Janë rritur kapacitetet akomoduese. Duhet të ndërmerren hapa për përputhshmëri të mëtejshme të legjislacionit, duke përfshirë Ligjin për të huajt, me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare.

Sa i përket kritereve ekonomike, Kosova ka arritur njëfarë progresi dhe është ndërmjet fazës së hershme dhe njëfarë niveli të përgatitjes për zhvillim të një ekonomie funksionale tregu. Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u moderua ndjeshëm në vitin 2022. Kjo ishte kryesisht për shkak të uljes së investimeve dhe ngadalësimit të rritjes së konsumit të amvisërive, si pasojë e inflacionit të lartë, veçanërisht pas fillimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Përkundër reziliencës që ekonomia ka demonstruar gjatë krizave të fundit, sfidat e kamotshme strukturore, si ekonomia e përhapur informale, prevalenca e lartë e korrupsionit dhe sundimi i përgjithshëm i dobët i ligjit, vazhdojnë ta pengojnë sektorin privat.

Rritja e lartë e të hyrave për shkak të rritjes së çmimeve dhe rritjes së numrit të individëve në punë formale, dhe ekzekutimi mjaft i ulët i shpenzimeve kapitale publike çuan në një buxhet pothuajse të balancuar në vitin 2022, ndërkohë që ra edhe raporti i borxhit publik. Inflacioni pati rritje dyshifrore për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe transportit, duke çuar në një rritje të deficitit të llogarisë rrjedhëse. Sektori financiar mbeti i kapitalizuar mirë dhe stabil dhe kreditimi vazhdoi të zgjerohet.

Kosova ka arritur progres të kufizuar dhe është në fazë të hershme sa i përket kapaciteteve për ta përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Sistemi arsimor nuk i pajis mjaftueshëm nxënësit me shkathtësitë e nevojshme kyçe dhe nuk përputhet si duhet me nevojat e tregut të punës. Kosova ka bërë përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e ripërtërishme, por mbetet shqetësues furnizimi me energji i bazuar në thëngjill, i vjetëruar dhe jo i besueshëm. Kosova ka bërë njëfarë progresi sa i përket digjitalizimit të ekonomisë.

Gjatë periudhës raportuese është arritur progres i kufizuar në fushat e prokurimit publik dhe kontrollit financiar. Sa i përket statistikave, ka pasur njëfarë progresi.

Për sa u përket marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Kosova ka mbajtur në përgjithësi marrëdhënie të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjë dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina nuk kanë marrëdhënie formale me Kosovën, pasi që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në përafrimin me standardet evropiane, Kosova ka arritur njëfarë progresi në grupin 2, tregun e brendshëm në lidhje me lëvizjen e lirë të mallrave, lirinë për të ofruar shërbime, lëvizjen e lirë të kapitaleve dhe ligjin për pronë intelektuale. Vendi ka arritur progres të kufizuar në fushën e lirisë së lëvizjes për punëtorët, ligjin për shoqëritë tregtare, politikën për konkurrueshmërinë, shërbimet financiare dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit. Në grupin 3, konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, Kosova ka arritur njëfarë progresi në shumicën e fushave (dogana, tatimet, politika sociale dhe punësimi, arsimi dhe kultura), përveç transformimit digjital dhe mediave ku progresi ishte i kufizuar.

Në fushat e politikave që lidhen me grupin 4, Agjendën e Gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme, Kosova ka arritur njëfarë progresi në sektorin e energjisë (duke përfshirë miratimin e një strategjie të energjisë për vitet 2022-2031). Për sa i përket transportit, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, është arritur vetëm progres i kufizuar.

Në grupin 5, resurset dhe bujqësia, Kosova ka arritur progres të kufizuar në bujqësi dhe njëfarë progresi në sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare. Sa i përket peshkimit, nuk është arritur asnjë progres.

Gjatë periudhës raportuese është arritur progres i kufizuar në lidhje me lidhjet e jashtme. Kosova ka arritur progres në zbatimin e planit të veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, veçanërisht duke ratifikuar tri ‘marrëveshjet e procesit të Berlinit’ për lëvizjen e lirë dhe njohjen reciproke të kualifikimeve. Megjithatë, qeveria vazhdon t’i bllokojë mekanizmat vendimmarrës në kuadër të CEFTA-s për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës. Kosova ende nuk i ka nuk ka ratifikuar protokollet Shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve. Veç kësaj, me vendosjen e një ‘mase të përkohshme operative të sigurisë’ në qershor 2023, duke bllokuar hyrjen në Kosovë të mallrave dhe kutive postare serbe, Kosova duket se nuk është në pajtueshmëri me zotimet e saj sipas CEFTA-s. Masa bie gjithashtu në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Përgjithësisht, Kosova duhet të përmirësojë kapacitetet e veta administrative dhe koordinimin në të gjithë sektorët për të arritur zbatimin efektiv të acquis të BE-së, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

 

Data kyçe

Qershor 2003: Takimi i Selanikut BE-Ballkan Perëndimor konfirmon perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Shkurt 2008: Kosova shpall pavarësinë në mënyrë të njëanshme.

Korrik 2010: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nxjerr opinionin këshillues për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke arritur në përfundimin se kjo nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare ose Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Mars 2011: Fillon dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Prill 2013: Në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës arrihet marrëveshja e parë për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve.

Prill 2016: Në prill 2016 hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Maj 2016: Komisioni Evropian nxjerr një propozim për Parlamentin Evropian dhe Këshillin duke rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Korrik 2018: Komisioni Evropian konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e mbetura për liberalizim të vizave. Vendimi mbi propozimin e Komisionit është në shqyrtim në Parlamentin Evropian dhe në Këshill.

Shkurt 2020: Metodologjia e rishikuar, e paraqitur nga Komisioni, për avancimin e procesit të zgjerimit me drejtim më të fortë politik dhe në një mënyrë më të besueshme, të parashikueshme dhe dinamike.

Tetor 2020: Komisioni Evropian miraton Planin Ekonomik dhe të Investimeve për ta mbështetur dhe afruar më shumë Ballkanin Perëndimor me BE-në.

Dhjetor 2022: Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësim në BE.

Shkurt dhe mars 2023: Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi i Zbatimit të saj.

Mars-prill 2023: Këshilli dhe Parlamenti miratojnë rregulloren që hap rrugën që liberalizimi i vizave të nisë më 1 janar 2024.

Nëntor 2023: Komisioni miraton Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM