Republika e Kosovës, sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, për periudhën qershor 2022 – qershor 2023, ka bërë progres të dukshëm, në veçanti duke plotësuar kornizën legjislative në përputhje me direktivat e BE-së, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e po ashtu me rritjen e performancës së Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA-së për vitin 2022, duke e quajtur përmirësim të fuqishëm, si dhe në përmirësimin e dukshëm të mbikëqyrjes së tregut.
Nëpërmjet kapitujve të Raportit të Progresit përmendet puna e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si në vijim:
Tek kapitulli i lëvizjes së lirë të mallrave, vlerësohet.
Miratimi i Ligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve dhe Ligji për Mbikëqyrjen e Tregut në përputhje me kornizën ligjore të BE-së.
Miratimi i Ligjit për Inspektime që ka rritë përgjegjësinë e Inspektoratit dhe ka unifikuar rregullat për produktet jo-ushqimore.
Fillimi i zbatimit të Programit për Zvogëlim të Barrierave.
Miratimi i legjislacionit në përputhje me EU acquis, ku në veçanti përmenden aktet normative për pajisjet me presion, pajisjet me gaz, pajisjet e mbrojtes dhe produktet e ndërtimit.
Licencimi i 9 laboratorëve testues dhe 9 trupave inspektues.
Realizimi i 2,830 inspektimeve për siguri të produkteve, shqiptimi i 311 gjobave, procedimi i 195 lëndëve dhe konfiskimi i 5,705 produkteve të dëmshme.
Tek liria e lëvizjes së shërbimeve është vlerësuar:
Puna në zbatimin e planit pesë vjeçar të direktivës evropiane të shërbimeve dhe formimi i grupit punues ndër-ministror me qëllim të monitorimit të zbatimit.
Tek kapitulli i së drejtës së kompanive, vlerësohet:
Miratimi i dy akteve nënligjore si fillim i zvogëlimit të dallimit në harmonizim përmes udhëzimit për regjistrim të bizneseve dhe atij për regjistrimin e zyrave të kompanive të huaja.
Miratimi i Kodit për Qeverisje Korporative në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe parimet e OECD-së për qeverisje korporative.
Në hartim e sipër Ligji i ri për Shoqëritë Tregtare që synon harmonizim të mëtejm me legjislacionin e BE-së, duke theksuar faktin se do të trajtojë çështjet si kapitalin fillestar të bizneseve, të drejtat e aksionarëve, aspektet e publikimit të informatave të bizneseve dhe degëve të tyre.
Tek kapitulli i pronësisë intelektuale/pronësia industriale, vlerësohet:
Miratimi i 5 Ligjeve dhe 7 Udhëzimeve Administrative si dhe veprimet e ndërmarra nga Inspektorati në zbatim të legjislacionit të kësaj fushe.
Sa i përket kapitullit për politikat sektoriale, Industrinë dhe NVM-të, vlerësohet qartë:
Hartimi i Strategjisë ambicioze për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve.
Përgatitja e analizave të strukturuara të sektorëve industrial.
Përmirësimi i performancës së KIESA-së për vitin 2022, duke përmendur termin përmirësim i fuqishëm/theksuar.
Organizimi i një numri të madh të akiviteteve që kanë promovuar bizneset dhe organizimi i panaireve të shumta të bizneseve.
Rritja e investimeve të huaja për vitin 2022, me 43.6% për periudhën janar – shtator 2022.
Përfshirja e Kosovës në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët”.
Zgjerimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe rritja e portfolios së kredive për NVM-të.
Miratimi i Ligjit për Parqet Industriale dhe Teknologjike.
Miratimi i Ligjit për Investime të Qëndrueshme.
Sa i përket çështjeve tregtare Kosova ka bërë progres në zbatimin e planit të veprimit të tregut të përbashkët rajonal.
Po ashtu, vlerësohet nisja zyrtare e negociatave me shtetet e EFTA-së për tregtinë e lirë dhe mbajtja e dy raundeve të negociatave, me përparim të mirë në të gjitha fushat.
Harmonizimi i Ligjit për Mallra Strategjike me legjislacionin e BE-së dhe harmonizimi i listës së mallrave me përdorim të dyfishtë sipas Rregullores së BE-së dhe listave të BE-së, kjo e fundit në baza vjetore, thuhet në komunikatën për media e MINT-it.




