Në kuadër të vizitës zyrtare, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci sot u prit në takim nga shefi i Mbrojtjes së Italisë dhe kryesuesi i ardhshëm i Komitetit të NATO-s, admiral Giuseppe Cavo Dragone. Në këtë takim, ministri Maqedonci ishte i shoqëruar nga gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, ambasadorja e Kosovës në Republikën e Italisë, Lendita Haxhitasim, si dhe këshilltarja politike, Liridona Gashi.
Me këtë rast, palët diskutuan për situatën aktuale gjeopolitike, zhvillimin e FSK-së, bashkëpunimin bilateral me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe synimin tonë si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE. Ministri Maqedonci e falënderoi admiralin italian për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka ofruar përmes trupave të KFOR-it dhe EULEX-it.
Nga ana e tij, admirali shprehu vlerësim të lartë për mënyrën se si është menaxhuar sulmi terrorist në veri të vendit, e po ashtu shfaqi vullnet e gatishmëri të plotë për të përkrahur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe. Të dy u dakorduan që ruajtja e stabilitetit në Ballkan e më gjerë përbën prioritet, ndërsa koordinimi me partnerët tanë strategjikë është lidhja që e garanton këtë, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.




