Në vazhdën e nderimeve për nder të festës së 28 Nëntorit, pas homazheve në Prekaz dhe Boletin kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe edhe në Prishtinë, duke nderuar figura të shquara të kombit shqiptar.
Bashkë me deputetë dhe ministra, kryetari Konjufca fillimisht vendosi lule te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë.
Sikurse dy figurat qëndrore të 28 Nëntorit 1912, Ismail Qemali e Isa Boletini, që në atë kohë ishin së bashku, kryetari Konjufca tha se edhe tash populli shqiptar duhet të jetë i pandarë.
“Kjo porosi që i mbijeton kohës ka qenë frymëzim dhe motivim shumë i fuqishëm i të gjithë brezave që kanë punuar për pavarësinë e dy shteteve”, tha kryetari Glauk Konjufca.
Më pas kreu i Kuvendit vendosi lule pranë memorialit Heroinat, për të nderuar gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, për të vazhduar edhe pranë shtatores së heroit të kombit Zahir Pajaziti, për të cilin tha se bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari ishte zemra e vërtetë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktivitetet për nder të 28 Nëntorit, kryetari Konjufca i përmbylli me nderimin para shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se koha e Gjergj Kastriotit ka prodhuar edhe pavarësinë e Ismail Qemalit më 28 nëntor 1912, si dhe çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.