Në ditën e dytë të qëndrimit në Senegal dhe pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri, i cili po mbahet në Dakar, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vazhduar takimet dypalëshe me përfaqësues nga shtete të ndryshme.
Ministrja Gërvalla në margjina të këtij Forumi takoi delegacionin e Bregut të Fildishtë, të kryesuar nga ministri i Deleguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bregut të Fildishtë, Wautabauna OUATTARA, Zëvendës ndihmësadministratorin e USAID-it për Parandalimin dhe Stabilizimin e Konflikteve, Neilesh Shelat, dhe pjesëmarrës të tjerë të Forumit.
Thellimi i bashkëpunimit të dyanshëm dhe konkretizimi i tij përmes programeve të veçanta dhe në fusha të interesit të dyanshëm ishin temat kryesore ku u përqendrua biseda në kuadër të takimeve të ndara.
Ministrja Gërvalla mori pjesë edhe në konferencën përmbyllëse të Forumit për media, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Senegalit, Ismaïla Maidor Fall dhe Ministrin e Jashtëm të Kepit të Gjelbër/Cabo Verdes, Rui Alberto De Figueiredo Soares, ku ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me kontinentin afrikan në përgjithësi dhe bashkëpunimin me Republikën e Senegalit në veçanti, thuhet në komunikatën për media e MPJD-së.