Save the Children Kosova/o organizon ngjarjen përmbyllëse të projektit “Fuqizimi i Ofrimit të Shërbimeve Sociale për Grupet më të cenueshme në Kosovë, në përgjigje ndaj COVID-19” me mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si vazhdimësi e një mbështetjeje të njejtë që nga viti 2017.
Gjatë ngjarjes përmbyllëse të quajtur “Një Udhëtim i Suksesshëm i Mbrojtjes Sociale” Save the Children Kosova/o prezanton të arriturat e përbashkëta me ofruesit e shërbimeve sociale, hartuesit e politikave, dhe vendimmarrësit në Kosovë në rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve sociale të qasshme dhe me cilësi të lartë për vajzat, djemtë, gratë dhe burrat që jetojnë në situata të cenueshme, veçanërisht ata në situata rreziku, të mbijetuarit/viktimat e dhunës, të dhunës në familje ose të trafikimit me qenie njerëzore, të moshuarit, si dhe fëmijët dhe të rriturit që jetojnë me aftësi të kufizuara.
Që nga viti 2021, Save the Children Kosova/o ka mbështetur 47 Organizata të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare me rreth 2.7 milion Euro. Nga kjo mbështetje më shumë se 10.000 fëmijë dhe të rritur nga e gjithë Kosova kanë përfituar shërbime sociale të përshtatura për nevojat e tyre. Për organizatat përfituese përgjatë gjithë kësaj periudhe, Save the Children ka ofruar një set trajnimesh për ngritjen e kapaciteteve organizative si dhe cilësinë e shërbimeve sociale. Krahas saj, përgjatë tri viteve Save the Children Kosova ka ofruar mbështetje tematike në fusha të ndryshme edhe për ofruesit formal të shërbimeve sociale me theks në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Qendrave për Punë Sociale dhe Organizatave ë licensuara në ofrimin e përbashkët të shërbimeve, duke punuar kështu me më shumë se 500 ofrues formal dhe jo formal të shërbimeve.
Save the Children në vazhdimësi ka ofruar mbështetje teknike dhe tematike për institucionet qendrore dhe lokale në avancimin e mbrojtjes sociale në Kosovë, duke rezultuar në hartimin e Planeve Komunale të Veprimit për Shërbimet Sociale, Manualeve të Punës në kuadër të Standardeve Minimale për Shërbimet Sociale, Udhëzues dhe Protokolle për Ofrim të Shërbimeve Sociale, si dhe Protokollit për bashkëpunim ndërmjet Organizatave të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare si dhe Qendrave për Punë Sociale.
Në kuadër të projektit, Save the Children përveç mbështetjes së ofruesëve të shërbimeve për të fuqizuar kapacitetet e tyre dhe për të përmirësuar cilësinë, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale, ka mbështetur intenzivisht procesin e finalizimit të Projekt-Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, duke siguruar një skemë të qëndrueshme financiare për shërbimet sociale në Kosovë” – thekson Ahmet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i Save the Children Kosova/o.
Ndërsa AnnaCarin Platon, Udhëheqëse e Sektorit Politik, Ekonomik, dhe Integrim Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë thekson se: “Një nga standardet më thelbësore evropiane është t’u garantimi i të drejtës për një jetë dinjitoze të grupeve të cenueshme. Një hap përpara në këtë drejtim është sigurimi i mbrojtjes sociale të besueshme dhe funksionale, për t’u ofruar grupeve të cenueshme mbështetjen që u nevojitet për t’u integruar plotësisht në jetën e përditshme dhe në shoqërinë Kosovare”.
Fjalë rasti në ngjarjen përmbyllëse do kenë: Udhëheqëse e Sektorit Politik, Ekonomik, dhe Integrim Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, AnnaCarin Platon, zv.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Këshilltarja e Ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Vlora Limani, tri (3) përfitues/e të shërbimeve sociale të ofruara nga ofruesit e shërbimeve në kuadër të projektit, Drejtori Ekzekutiv i Save the Children Kosova/o Ahmet Kryeziu dhe Menaxheri i Projektit, Durim Gashi, thuhet në komunikatën për media e Save the Chidren.