Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në panelin e diskutimit me temën “Preferencat gjinore dhe aborti selektiv -Diskriminim gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”, me ç’rast ka folur për rolin jetik të edukimit sa i përket qasjes jodiskriminuese në raport gjinor.
Ministrja Nagavci, bëri të ditur se bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu është bashkuar aktiviteteve sensibilizuese në shkolla, në kuadër të fushatës “16 Ditë Aktivizëm” kundër dhunës me bazë gjinore, me synimin që këto sesione vetëdijësuese të ndikojnë në eliminimin e kësaj dukurie.
Nagavci tha se, rasti i vrasjes së një gruaje para pak ditëve tregon se sa i rëndësishëm është aktivizmi i shoqërisë dhe i institucioneve në këtë drejtim.
Gjithashtu Nagavci theksoi se, shoqëria jonë vazhdon të jetë në mesin e vendeve në të cilat ekziston dhuna ndaj vajzave dhe grave, sado që ky trend ka shenja të përmirësimit, kjo në masë të madhe falë avancimit të vajzave dhe grave në aspektin arsimor dhe profesional, dhe pavarësimit të tyre.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci bëri të ditur përkushtimin e Ministrisë së Arsimit drejt zgjerimit të normave kundër pabarazisë gjinore dhe mbështetjen e vajzave dhe grave përmes bursave, të cilat kanë për qëllim rritjen e përfshirjes së tyre në studimin e fushave STEM.
Na vazhdën e aktiviteteve për eliminimin e pabarazisë dhe edukimit seksual, Nagavci përmendi edhe punën që ka bërë MAShTI në bashkëpunim me UNFPA në hartimin e materialeve promovuese të cilat ndihmojnë mësimdhënësit në trajtimin e kësaj teme dhe trajnimin e mësimdhënësve në këtë fushë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi edhe disa prej sfidave me të cilat përballen vajzat tona e të cilat janë: pamundësia e përfundimit të shkollimit bazik, përjetimi i dhunës fizike, martesat pa mbushur moshën madhore, ekspozimi ndaj rreziqeve të shtuara online, etj, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.