Nën organizimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, sot u mbajt takimi për Prezantimin e masës 1.2 për zvogëlimin e ndikimit të krizës energjetike tek familjet në asistencë sociale, përkatësisht subvencionimin e blerjes së lëndës djegës për dimër për familjet në asistencë sociale.
Me Masës 1.2, e cila në qendër ka grupet e cenueshme të shoqërisë, ata të cilët kanë më së shumti nevojë për dorën e shtetit, do të mundësohet subvencionimi i blerjes së lëndës djegëse për ngrohje për familjet në asistencë sociale, me qëllim tejkalimin sa më të lehtë të dimrit për këto familje. Për këtë masë janë ndarë pesë milionë euro. Nga ajo pritet të përfitojnë rreth 21 mijë familje e rreth 81 mijë qytetar.
Në fjalën hyrëse të tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se fundi i vitit simbolizon një periudhë ku të gjithë shënojmë arritje e reflektojmë mbi sfidat me të cilat jemi përballur. Ai shtoi se është i lumtur që në fushën e mirëqenies shoqërore shumë sfida i kanë tejkaluar dhe ato i kanë shndërruar në arritje. Duke e konsideruar si një shtyllë thelbërsore në kuadër të Programit Qeverisës, kryeministri potencoi se për faktin që ishin të rrethuar nga një ambient i vështirë dhe i rëndë, kjo e ka përforcuar edhe më shumë përkushtimin dhe mbështetjen e Qeverisë drejt kujdesit për qytetarët.
Ai tha se pas këtyre gati tre vite, qytetarët tanë tani e dinë që përballë vështirësive të kohës ata nuk do të jenë asnjëherë vetëm ose të vetmuar, sepse “jemi dhe mbetemi qeveri që udhëheq dhe që mbështet, që prin dhe që nuk lë askënd prapa”.
Ndërkaq, ministri i Financave Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, foli rreth mënyrës së subvencionimit të kësaj mase i cili realizohet direkt në llogaritë bankare të familjeve përfituese.
Ai sqaroi edhe mënyrën e përfitimit të kësaj mase.
“Si familje përfitimi është 120 euro, që është ekuivalent me 2 metër kub, ndërkaq për çdo anëtar të familjes është 30 euro shtesë, që nënkupton që për një familje katër anëtarëshe do të jetë 120 euro për familjen, 120 euro të tjera, pra nga 30 euro për secilin anëtar, që i bie që një familje katër anëtarëshe në total do t’i pranoj 240 euro si mbështetje në mënyrë që ta tejkaloj sa më lehtë sezonin e dimrit”, tha ai.
Ministri Murati, potencoi se për të përfituar nga kjo masë nuk ka nevojë për aplikim, meqenëse Qendrat për Punë Sociale, tashmë kanë familjet të cilat pranojnë mbështetje sociale.
Kjo masë është e mbështetur nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Pakos Energjetike Emergjente e Bashkimit Evropian.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek. Të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Avni Zogiani dhe Kryetari i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale në Kosovë, Blerim Shabani, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Fund viti është koha kur të gjithë shënojmë arritjet dhe reflektojmë mbi sfidat. Unë jam i lumtur që në fushën e mirëqenies shoqërore shumë sfida i kemi tejkaluar e madje edhe i kemi shndërruar në arritje. Bashkë na u deshtë të ballafaqohemi me pandeminë, pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe një krizë e gjithmbarshme energjetike. Fakti që u rrethuam nga një ambient shpeshherë i vështirë e i rëndë, vetëm se intensifikoi përkushtimin tonë drejt kujdesit për qytetarin: një shtyllë thelbësore kjo e Programit tonë Qeverisës.
Varësisht nga rrethanat mund të ketë ndryshuar metoda, por asnjëherë caku ynë përfundimtar. Si Qeveri, strategjinë për mbrojtjen dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e veçanërisht atyre që patën e kanë më së shumti nevojë, e ekzekutuam në dy drejtime. Në njërën anë iu përgjigjem nevojës për të lehtësuar vështirësitë që krizat e lartpërmendura shkaktuan te ekonomitë familjare. Dhe në anën tjetër, nxitëm zgjidhje të qëndrueshme te këto familje përmes punësimit në tregun e punës. Pra ishim edhe reagues e të përgjegjshëm. Edhe proaktiv e të ndërgjegjshëm.
Sa i përket të parës, atë e filluam duke rritur asistencën sociale prej 30% mbi nivelin e rregullt të saj në vitin 2021. Më pas, mbështetjen e vazhduam duke dyfishuar asistencën sociale katër herë brenda viteve 2021 dhe 2022. Mandej, përkrahëm me 1.4 milion euro 19 kuzhina popullore dhe bashkëpunuam me OJQ-të në ofrimin e mbi 36,000 pakove ushqimore dhe rreth 350,000 shujtave për shtresat e cenueshme të shoqërisë. Qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë, e filluam kujdesin për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç përmes shtesave për ta nga të cilat deri më tani kanë përfituar mbi 49 mijë nëna të reja dhe 387 mijë fëmijë. Aktualisht, jemi në proces e sipër të subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm.
Krahas këtyre, si hap të dytë, përgatitëm dhe filluam Skemën “Qeveria për Familjet”, nëpërmjet së cilës mbi 2200 familjeve u mundësua që ta kenë së paku një anëtar të punësuar, e të cilat paraprakisht nuk kishin askënd të punësuar në ato familje. Ndërkaq, përmes marrëveshjes në vlerë prej 47 milionë euro me Bankën Botërore po synojmë një reformë të përgjithshme të skemës së asistencës sociale e cila largon diskriminimin brenda kategorive përfituese si dhe nxitë aktivizimin e përfituesve në tregun e punës.
E sot jemi bashkë për ta prezantuar edhe një masë e cila në qendër ka grupet e cenueshme të shoqërisë. Ata që kanë më së shumti nevojë për dorën e shtetit. Në mbledhjen e 174-të të Qeverisë ndamë 5 milionë euro. Më këtë shumë, Qeveria do të mundësojë subvencionimin e blerjes së lëndës djegëse për ngrohje për familjet në asistencë sociale, me qëllim tejkalimin sa më të lehtë të dimrit për këto familje. Këtë masë do ta zbatojmë në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Rreth mënyrës së subvencionimit të kësaj mase, do të na njoftoj më gjerësisht, në fjalën e tij ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati.
Për fund dua të shtoj se pas gjithë këtyre sfidave e peripetive të më shumë se 32 muajve, për shumë muaj të tjerë përpara e vite bashkë, qytetarët tanë e dinë që përballë vështirësive të kohës ata asnjëherë nuk do të jenë vetëm ose të vetmuar. Jemi dhe do të mbetemi Qeveri që udhëheq dhe që mbështet. Që prin dhe që nuk lë askënd prapa.