Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama pranoi zyrtarisht përzgjedhjen e Kryeqytetit si “Qyteti Europian i Sportit” për vitin 2024. Kjo do ta bëjë Prishtinën destinacion dhe qendër të shumë aktiviteteve sportive që do të mbahen gjithë vitin 2024.
Kryetari Rama, u shpreh i lumtur me arritjen e këtij suksesi të madh për Prishtinën.
“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin fantastik se Prishtina është shpallë Qytet Evropian i Sportit për vitin 2024! Ky titull është dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të krijuar një qytet që përqafon jetën e shëndetshme, gjithëpërfshirjen dhe mikpritjen. Na pret një vit i mbushur me ngjarje sportive, angazhim të komunitetit dhe investime në infrastrukturën sportive”.
Mes tjerash kryetari Rama tha se ky titull është katalizator i cili i nevojitet Prishtinës për të kthyer fokusin tek rëndësia e sportit në shoqëri për një të ardhme më të ndritshme, të shëndetshm e më gjithëpërfshirëse për kryeqytetin.
Bashkë me kryetarin Rama ishin të pranishëm edhe drejtori për Sport, Granit Rugova dhe skitaren e parë nga Kosova që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, Kiana Kryeziu, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel, thuhet në komunikatën për media e Komunës së Prishtinës.