Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defense Cooperation, CEDC), vendeve të Grupit të Vishegradit (V4), si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB), që po zhvillohet sot në Pragë të Republikës Çeke.
Ky është takimi i parë që zhvillohet në këtë format të zgjeruar dhe që ka për qëllim zhvillimin e diskutimeve mbi sfidat aktuale të sigurisë që vijnë si pasojë e ndikimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës si dhe zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim Ministri Maqedonci nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informoi të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë.
Ministri Maqedonci gjithashtu solli në vëmendje edhe një herë orientimin strategjik të vendit tonë për anëtarësim në BE dhe NATO dhe kërkoi përkrahjen politike e vendeve pjesëmarrëse në këtë format për realizimin e këtyre aspiratave të Republikës së Kosovës,për të mundësuar kontribut tonë më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.
Bashkëpunimi i Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defence Cooperation – CEDC) është iniciativë e bashkëpunimit ushtarak të vendeve të Europës Qendrore si: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe Polonia që ka statusin e vendit vëzhgues. Katër nga këto vende (Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia) përbëjnë njëkohësisht Grupin e Vishegradit. Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia ishin vendet e Ballkanit Perëndimor të përfaqësuara në këtë ministerial, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.