Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.
Me këtë rast, ministri Maqedonci e njoftoi Viehe me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.
Gjatë takimit gjithashtu u bisedua për gjendjen e sigurisë në Kosovë, ku ministri theksoi faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s.
Ministri Maqedonci pohoi për vazhdimin me përkushtim të koordinimit e bashkëpunimit të ngushtë si Ministri me KFOR-in dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
Ai ritheksoi se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofrojë kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.
“Trajnimet e përbashkëta me forcat aleate, ngritja e kapaciteteve të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim, investimet në personel e pajisje janë hapat që kemi ndërmarrë në përmbushjen e synimeve tona”, u shpreh Maqedonci.
Nga ana e saj, Viehe shprehu vlerësim të lartë për profesionalizmin e treguar nga ana e Policisë së Kosovës në menaxhimin e sulmit të 24 shtatorit, e po ashtu theksoi se NATO ka rikonfimuar mbështetjen për KFOR-in dhe Kosovën, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.