Në mbledhjen e 178-të me radhë, e parafundit për këtë vit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo do të jetë mbledhja me më së shumti vendime deri më tani dhe më e gjata në këta 33 muaj qeverisje.
Kryeministri ka thënë se qeverisja kërkon sa përkushtim edhe energji. Përkushtimi është maturi, kurse energjia në thelb është rinore. E si qeveri e re, e një vendi të ri, me popullatë të re, jemi të përkushtuar për rininë.
Të hënën e kumtuam lajmin që Kosova u bë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore – EYCA. Karta me të cilën do të mund të pajisjen të gjithë të rinjtë nën moshën 30 vjeçare pa dallim gjinie, përkatësie etnike, aftësie apo statusi ekonomik, do t’u jep qasje atyre në mbi 60,000 zbritje dhe benefite në transport, akomodim, arsim, kulturë, sport, shërbime dhe produkte kudo në Evropë. Kjo bëhet edhe më e vlefshme tashmë që 1 janari i liberalizimit të vizave është më pak se tre javë larg. Kështu që nga viti i ardhshëm, të pajisur me kartë, të rinjtë tanë në Kosovë do kenë mundësi dhe përfitime të barabarta kur udhëtojnë në Evropë.
Kurti tha se para kësaj, e qysh herët në qeverisjen tonë, arsimin e lartë publik e bëmë falas, sepse ne besojmë që ajo është e drejtë që ju takon, e jo shërbim për të cilin duhet të paguajnë. Për studentë në tri vite akademike, krahas bursave të rregullta për notë mesatare të lartë, ndamë rreth pesë mijë bursa tjera për studime brenda dhe jashtë vendit.
Shkollimin profesional po e lidhim me tregun e punës përmes arsimit dual. Këtë vit i kemi 12 profile, që ofrohen në 21 shkolla, në 14 komuna të Kosovës. Pra të rinjtë tanë po i përgatisim me kohë për nevojat e tregut duke investuar që sot për punësimin e tyre nesër.
Kryeministri Kurti ka thënë se natyrisht jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe nuk do të mund të rregullohen as përnjëherë e as shpejt. Testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e të mësimnxënies. Ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë.
Me programin Kosova Generation Unlimited, program ky i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë, dhe rrjetin CSR, po ofrojmë mundësi praktike për të rinjtë, për 10 mijë të rinj e të reja deri në fund të vitit 2024.
E për ata që tashmë janë në tregun e punës, e kemi platformën e punësimit “SuperPuna”. Nëpërmjet saj në këta nëntë muaj janë punësuar rreth 8500 të rinj e të reja të moshës 18-25 vjeçare.
Kurti ka vazhduar duke thënë se për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, mbështetëm me 8 milionë euro Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren. Themeluam gjithashtu qendrën për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, qendra e të dhënave të rrjetit akademik dhe kërkimor të Kosovës (KREN), si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit. Ndërkaq me Parkun e Teknologjisë Digjitale që e inauguruam në Bernicë shtuam edhe më tej mundësitë dhe hapësirat për inovacion.
Nëpërmjet programeve pasuruese në shkolla publike, bëmë shtrirjen e artit, sportit dhe vullnetarizmit te gjeneratat e reja në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt, Kamenicës, dhe Skenderajt.
Kurti tha se për organizatat joqeveritare, vetëm këtë vit ndamë 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport, ku të rinjtë janë përfituesit primar në çdo projekt të mbështetur. Ngjashëm, përmes programit të Bankës Botërore “Komunat për të rinjtë”, përveç dhënies së granteve, u organizuan trajnime në menaxhimin e projekteve dhe aftësive të buta për më shumë se 1500 të rinj.
Pra investim në edukim, punësim, e aftësim të rinisë, me përkushtimin dhe energjinë e një qeverie për rininë.
Kryeministri Kurti ka thënë se qeveria përkujdeset për të gjithë brezat, e veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë ku edhe sot është miratuar një vendim ku për subvencionimin e të gjithë fëmijëve bazuar në të ardhurat e familjes, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100, apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve.
Sivjet, kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim, të përfitojnë nga skema, dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro. Mirëpo, planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje; për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht të përfitojnë më shumë.
Kurti ka thënë se që në këtë fundvit, nuk i kanë harruar as pensionistët, po ashtu do të përkujdesen me një vendim tjetër në këtë mbledhje, prandaj, për të gjithë pension- marrësit, këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këto kategori të cenueshme do të miratojnë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin.
Ndër vendimet tjera, sot kemi edhe vendimin për ndarjen e buxhetit shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro, dhe me këtë ndarje, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.
Arritja e këtij niveli për herë të parë në historinë e re të ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO.
Në fund kryeministri Kurti ka thënë se jemi qeveri e të gjithëve dhe për të gjithë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.