Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe mirënjohjeve vjetore “Mik i fëmijëve” për kontribuuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
KOMF këtë vit ndau tre çmime vjetore në fushën e gazetarisë në mbrojtje të fëmijëve dhe gjashtë mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt mbrojtjes së fëmijëve.
Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur tre gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2023 në fushën e gazetarisë, si më poshtë:
Laura Çelaj, T7, për ngjarjen që shpalos aspektet shumëdimensionale të bullizmit në shkolla dhe pasojat që ai lë si tek vetë fëmijët, ashtu edhe tek shoqëria në përgjithësi.
Faton Polisi, Grupi Koha, për shkrimin dhe storien televizive, e cila shpalon përfshirjen e të rinjve në aktivitete sportive përmes Klublit të Boksit “Lisnjaja”, me qëllim të largimit të tyre nga rruga dhe të këqijat që mund t’i sjell ajo.
Adelina Ahmeti Kallxo.com për hulumtimin e publikuar me një seri shkrimesh lidhur me një vajzë 14 vjecare të sulmuar seksualisht në njërën nga shkollat e Podujevës.
Ndërkohë që Paneli Vlerësues për nominimet Mik i Fëmijëve, i përbërë nga Blerta Perolli Shehu – Universiteti i Prishtinës, Agon Ahmeti – ETEA dhe Igballe Rrahmani – Institucioni i Avokatit të Popullit, ka vlerësuar dhe ndarë pesë Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2023”, për gjashtë personalitete të cilët përgjatë vitit 2023, kanë ofruar mbështetje e kontribut në mbrojtje e mirëqenie të fëmijëve të cenueshëm.
Mirënjohjet u ndanë si më poshtë:
Nuran Boshnjaku merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 20223, si ish nënë SOS tashmë e pensionuar për punën në SOS Fshatrat e Fëmijëve nga viti 2008 deri në 2023. Gjatë kësaj kohe ajo është përkujdesur për 16 fëmijë, me dashuri, përkushtim dhe kujdes, prej momentit kur ata janë vendosur në strehim e deri pas arritjes së pavarësisë së tyre të plotë në moshën madhore.
Familja strehuese e Arlinda dhe Arsim Makustaj nga Komuna e Istogut merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2023”, për strehimin e 15 fëmijëve të grupmoshave më të vogla, të rritur, të nacionaliteteve të ndryshme, dhe fëmijë me aftësi të kufizuar. Familja Maksutaj ka strehuar fëmijë që nga mosha 0 dhe vazhdon t’i mbajë deri në moshën 18 vjeçare, duke ofruar të gjithë kujdesin dhe dashurinë për të cilën kanë nevojë këta fëmijë.
Shkolla “Mileniumi i tretë”, në Prishtinë merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2023”, për angazhimin e vazhdueshëm të nxënësve në krijimin dhe realizimin e aktiviteteve humanitare të cilat kanë rezultuar në ndihmën e ofruar për familjet në gjendje të rënduar sociale dhe sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjatë vitit 2023, nxënësit janë angazhuar për të ndihmuar fëmijë dhe grupe të cenueshme, duke i mbështetur edhe me mjete dhe ndihma të nevojshme.
Korporata “Alexander Chapman” merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2023”, për kontribuimin e drejtpërdrejtë në mirëqenien edhe mbrojtjen e fëmijëve pa përkujdes prindëror të cilët janë nën kujdesin e SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë. Kjo kompani ka dhuruar një donacion prej 50,000,00 Euro, e cila është dedikuar për mirëqenien e 40 fëmijëve pa përkujdes prindëror.
Banka “NLB” merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2023” për përkrahjen e disa OJQ-ve me një vlerë totale prej 100.000 Euro. Gjithashtu, NLB Banka ka mobilizuar dhe nxitur pjesën tjetër të komunitetit të angazhohet në projekte të përbashkëta për përmirësimin e kushteve jetësore dhe shëndetësore.
Dr. Agron Abrashi merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2023”, ish anëtar i bordit të organizatës “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe filantrop, për angazhimin në mbështetjen e kauzës së shëndetit të nënës dhe fëmijës. Ai për vite me radhë ka mbështetur AMC për ngritje të fondeve në diasporë, ku gjatë vitit 2023, Dr. Abrashi ka dhuruar donacion në vlerë prej 10.000€, një ndihmë e madhe për misionin që AMC ka.