Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Departamentin e Shtetit, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u prit në takim nga Ndihmëssekretari i Shtetit, James O’ Brein.
Maqedonci ka thënë se në këtë takim ndihmëssekretarit O’Brein i ka ritheksuar që Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet dhe i gjithë populli i Kosovës është i vendosur palëkundshëm në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.
Ministri Maqedonci ndihmëssekreatarin O’ Brien e ka falënderuar për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, e në veçanti për mbështetjen në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ata kanë diskutuar për ambientin global të sigurisë dhe impaktin e tij në regjionin e Ballkanit perëndimor si dhe për nevojën e fuqizimit të përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me rreziqet dhe kërcënimet.
Ndihmësekretari James O’ Brien ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për antarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO.
Ministri Maqedonci në postimin e tij në Facebook ka thënë se janë dakorduar që të thellojnë bashkëpunimin dhe të vazhdojnë bashkë ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, me qëllim të qartë që këto kapacitete të jenë në funksion të rritjes së sigurisë në vend dhe regjion si dhe të jenë të përgatitura që bashkë me parterët të mbështesin paqen kudo në botë.