Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg.
Kryeministri shprehu falënderimin e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat euro-atlantike dhe mirëpriti emërimin e Haakon Blankenborg në pozitën e Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor.
Në takim, kryeministri foli për sukseset, arritjet dhe sfidat e qeverisjes. Ai theksoi se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon. Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, kryeministri ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale.
U bisedua edhe për situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.
Ndërkaq, për sa i takon dialogut, vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.