Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, drejtori i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim, Sergey Maslichenko dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nënshkruan sot marrëveshje granti me vlerë 1 milion euro si dhe 5 milionë euro kredi të butë për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë.
Përmes këtij projekti do të mundësohet që 47 ndërtesa publike në Komunën e Prishtinës të kenë ngrohje efiçiente përmes sistemeve të reja të ngrohjes, izolimit termik si dhe zëvendësimit të dyerve dhe dritareve.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri Murati theksoi se “ky projekt mundëson që të gjithë qytetarët përfshirë fëmijët e të moshuarit të marrin shërbimet e tyre në ambiente më të përshtatshme”.
“Ne përgëzojmë palët në arritjen e kësaj marrëveshjeje me një rëndësi të madhe dhe urojmë që projekti të zbatohet sa më parë”, shprehu Drejtori Maslichenko.
Ndërsa, kryetari Rama falënderoi ministrin Murati dhe drejtorin Maslichenko duke theksuar se ky kontribut ka qenë shumë i nevojshëm për Kryeqytetin e Prishtinës pasi që ndërtesat e Prishtinës kanë nevojë për rindërtim dhe restaurim.
Vlen të theksohet se marrëveshja e sotme me vlerë granti prej 1 milion euro nga Programi Rajonal për Efiçiencë të Energjisë për Ballkanin Perëndimor të financuar nga Bashkimi Evropian, së bashku me marrëveshjen paraprake me BERZH, e cila ka një vlerë prej 5 milionë euro, e bën vlerën totale të investimit për këtë projekt 6 milionë euro, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.