Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka prezantuar raportin vjetor 2023, me ç’rast u prezantua puna, sfidat dhe bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, në kuadër të procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.
‘’Mungesa e përgjigjes për fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojmë në ankthin e pritjes. Ato shumë varre të hapura, të zbrazëta, anembanë Kosovës, ku nuk i kemi më të dashurit tuaj, më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë’’, u shpreh ai.
Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm, tha kryeministri, krim ky që sipas tij e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës mbarë. Sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistike, por është problem kombëtar shtetëror e humanitar.
Duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen përgjatë gjithë vitit lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, tha se kjo e shumëfishon impaktin e angazhimeve tona me arritjen e qëllimit të përbashkët që kemi, duke qenë se ky proces, është një proces i përbashkët i yni me një shtrirje të gjerë, interes kombëtar dhe qëllim humanitar, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.
Mungesa e përgjigjes për fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojmë në ankthin e pritjes. Ato shumë varre të hapura, të zbrazëta, anembanë Kosovës, ku nuk i kemi më të dashurit tuaj, më të dashurit tonë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë.
Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës mbarë. Sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistike, por problem kombëtar shtetëror e humanitar.
Më shumë se 950 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit në Serbi.
Më 22 prill të këtij viti, në Batajnicë u shënua Dita e Forcave të Armatosura, ku u organizuan stërvitje ushtarake. Nën poligonin e qitjes së policisë në Batajnicë, në një varr masiv janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës. Trupat që u varrosën në Kosovë, më pas u zhvarrosën dhe u transportuan në Serbi për rivarrim, në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës.
Midis atyre trupave ishin 46 anëtarë të familjes Berisha; 14 prej tyre nën moshën 15 vjeçare, e mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë. Pranë varrit masiv, nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore, thuajse asgjë nuk ka ndodhur aty.
Serbia duhet të pranojë krimet e saj në të kaluarën në Kosovë. Krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, e të quajtur “Patkoi”.
Është i domosdoshëm angazhimi i faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar më 2 maj 2023 në Bruksel, për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Me adoptimin e kësaj deklarate, pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje të plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden personat e zhdukur.
Deklarata e miratuar është hapi i parë, që kërkon domosdoshmërisht mbikëqyrje dhe trysni nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë, për zbatimin obligimeve të marra, deri në zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur në Kosovë. Andaj, edhe sot, ritheksojmë nevojën urgjente për përpjekje shtesë, për të lehtësuar vuajtjet e familjeve, e për të shëruar këtë plagë të hapur dhe ende të pashëruar për shoqërinë dhe shtetin tonë.
Gjatë këtij viti, brenda territorit të Republikës së Kosovës kemi pasur gërmime në 15 lokacione, që ndërlidhen me procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Për të konfirmuar numrin dhe identitetin e të zhvarrosurve, është i domosdoshëm përfundimi i procedurave, ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimi përmes analizës shkencore të ADN-së, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe të publikut.
Në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë, në Policinë e Kosovës kemi miratuar strukturën e re, duke e ngritur nga sektori në nivel të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, e cila do të ketë 41 hetues. Kemi themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, ndërsa së shpejti do të miratojmë Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale.
Republika e Kosovës u anëtarësua në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Ky anëtarësim është edhe një nismë e konkretizuar në shërbim të zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. E vlerësojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë në përpjekjet e përbashkëta.
Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjitha institucionet dhe organizatat, për procese të drejtësisë tranzicionale, që janë gjithëpërfshirëse dhe të përqendruara te viktimat.
Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe për ndriçimin e të vërtetës mbetet i palëkundur.