Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën për media ka thënë se planet për sulme, synojnë destabilizimin e situatës, Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me faktorët relevant ndërkombëtar, me partnerët e aleatët tanë, po angazhohen intensivisht për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Tashmë është e qartë se asnjë plan apo sulm, nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilat janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë, sipas interesave e planeve të tyre e mbase edhe të Rusisë.
Natyrisht, të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë. Terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika e Kosovës, ka thënë në konferencën për shtyp, kryeministri Kurti.
Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve, në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë, ishin të përqendruara në këtë lokacion.
Kjo kompani, e cila është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Aleksandar Grboviq, me pseudonimin “Grba”. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet, dhe kryetar i komunës së Pozhegës në vitin 2008.
Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar me gjatësi 18 km. Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si “njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët”. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës, për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim.
Presidenti i Serbisë, nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi me 24 shtator.
E pas sulmit terrorist e kriminal, Millan Radoiçiq, u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb – BIA. Ambientet e firmës “Jablanovica” në Rashkë, ngjashëm me ato të “Novi Pazar Put”, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Por, realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës, e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq.
Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi.
Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, kemi marrë vesh se ka ndryshuar, pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne.
Ndërkaq në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, i cili gjendet afër Sijenicës në rajonin e Sanxhakut, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjskë dhe vlerësohen si personat më të besueshëm të Radoiçiqit dhe të shtetit serb. Ky grup, kishte planifikuar sulme ndaj policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, në lokacione kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim, raportohet të ketë pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë, e cila ka stacionuar ushtarë të saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën, në lokacione ku parashiheshin këto sulme.
Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu, janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç, një bjeshkë afër Kralevës, ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon.
Gjithashtu, ka pjesëtarë të grupeve terroriste të armatosur e të uniformuar me veshjet e njëjta që i kanë pasur gjatë sulmit në Banjskë, të cilët po qëndrojnë afër lokacionit “Banja e Novi Pazarit”, rreth 10 km në afërsi të kufirit me Kosovën dhe po patrullojnë hapur në zonat përreth. Ata posedojnë armë, përfshirë antitank, motorë me katër rrota tërheqëse dhe mjete të tjera transportuese.
Një arsenal armësh po duket që fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 km distancë nga pika kufitare në Jarinje. Kjo hapësirë besohet se është në pronësi të grupit terrorist që ka marrë pjesë në sulmin e Banjskës. Aty ka të fshehura armatim të ngjashëm që është përdorur gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Qeveria e Serbisë së fundmi, ka urdhëruar strukturat ilegale serbe që të bëjnë punësimin e bashkëshorteve të grupit terrorist pjesëmarrës në sulmin e Banjskës, familjet e të cilëve jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim që ata të mos bëjnë ndonjë zë kritik për atë çfarë u ndodhi.
Tashmë është e qartë se asnjë plan apo sulm, nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilat janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë, sipas interesave e planeve të tyre e mbase edhe të Rusisë.
Planet për sulme, synojnë destabilizimin e situatës. Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me faktorët relevant ndërkombëtar, me partnerët e aleatët tanë, po angazhohen intensivisht për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Serbia në vend që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, po i ndihmon të njëjtës që t’i shmang ato. Në vend se të sanksionohet dhe të obligohet që t’i dorëzojë terroristët, ajo po shfrytëzon të njëjtit për qëllime politike dhe kërcënime të tjera kundër Kosovës.
Natyrisht, të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë. Terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika e Kosovës.
Kur dëgjohet ky rrëfim natyrisht që ngjan i zymtë, por i tillë është realiteti i fqinjit tonë verior që paraqet edhe kërcënim për neve përveçse ka ngjallur pakënaqësi më të mëdha ndonjëherë në kohërat e fundit edhe tek populli i vet.
Për fund, dua të them të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, se Këshilli Prokurorial i Kosovës, Kryeprokuroria e Shtetit, tre muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk ngritën aktakuza dhe as nuk e njoftuan publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Republikës tonë, jo vetëm në vitin 2023, jo vetëm ndaj Policisë, rendit e ligjit, por edhe ndaj integritetit territorial të vendit e qytetarëve të shtetit. Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm për neve.