Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon sjelljen e papranueshme të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj gazetares së TV Klan, Blerta Dalloshi Berisha.
Në videon e publikuar nga kolegia, Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin.
Maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.
AGK-ja, kërkon nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë, dhe gjithashtu nga Kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut, thuhet në postimin në Facebook të AGK-së.