D.S. (emri i njohur për redaksinë) ështe një i ri i lindur jashtë Kosovës, në një nga shtetet evropiane, ku edhe sot jeton. Kur ishte shumë i vogël kishte qenë shumë fetar dhe që feja kishte pasur një rol shumë të madh në jetën e tij.
“Para se të bija në gjumë, nëna m’i mësojke duatë që ajo i dinte. Për ҫdo send në jetë e pyetsha nënën e babën, të cilët kanë qenë shumë fetarë, edhe të gjitha përgjigjet e tyre ndërlidheshin me fenë”, thotë D.S.
Megjithatë, ai shpjegon se sa më shumë që mësonte rreth fesë aq më tepër ishte skeptik.
Edhe pse sot ai nuk është besimtar, mendon që feja është e mirë, ka mësuar shumë gjëra të mira prej saj dhe vazhdon t’i respektojë ato të mira.
“Prej fesë islame unë e kam krijuar një identitet timin: edhe nëse nuk besoj, nuk do të thotë se unë sot nuk i bëj ato gjërat e mira që m’i ka mësuar feja”, pohon ai.
Sipas sociologut Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, nuk është vetëm aspekti ligjor ose politik, por edhe aspekti social, ekonomik dhe ai kulturor që ndikon në rritjen ose uljen e shkallës së religjiozitetit.
Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, thotë se nuk kanë ndonjë statistikë rreth rritjes apo zvogëlimit të numrit të besimtarëve myslimanë, përveç atyre të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011.
“Numri i besimtarëve mysliman rritet me përqindjen e rritjes së popullsisë në Kosovë. Nëse në një familje myslimane ka ndonjë lindje, atëherë shtohet një besimtar mysliman. Mund të ketë edhe ndonjë ndryshim në numër në raste të veçanta kur p.sh një person i besimit tjetër konvertohet në mysliman”, thotë Rexhepi.
Në anën tjetër, Don Lush Gjergji, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës thotë se numri i besimtarëve katolikë shqiptarë në Kosovë është gjithnjë në rritje të vogël dhe të vazhdueshme, mirëpo mërgimi në botën e jashtme po ashtu është një proces i pandalshëm.
“Sipas njohurive dhe statistikave tona, jemi rreth 50. 000, me lëvizje apo shpërngulje të përkohshme, të cilat vështirë mund të shënohen dhe kontrollohen. Nga kjo paraqitje jemi diku rreth 3% e popullatës së përgjithshme në Kosovë”, thotë Don Lush Gjergji.
Sociologu Krasniqi thotë se zakonisht në shoqëritë e tranzicionit, të cilat nganjëherë karakterizohen me dinamika dhe zhvillime të befasishme, me kriza politike, ekonomike, morale, vlerore etj., religjioziteti është në nivel më të lartë, sepse njerëzit duke jetuar në krizë dhe pasiguri kanë nevojë për siguri, kanë nevojë për mbështetje, për prehje dhe qetësi.
“Religjioni është sistem vlerash dhe besimesh që ofron njëfarë qetësie shpirtërore në rrethanat kur kriza morale dhe sociale është e gjithanshme, kur gjithçka relativizohet, kritikohet, çkuptimsohet. Shikuar prej perspektivës sociologjike, ky është faktori që ndikon në rritjen e religjiozitetit,” thotë ai.
I riu P.B. (emri i njohur për redaksinë) për KosovaLive tregon për periudhat kur ka qenë i afërt me fetë: periudha e parë ishte në klasën e katërt, kurse e dyta tre vjet më vonë – në klasën e shtatë. Ai thotë që e para ishte me krishterimin dhe e dyta me islamin, dhe tregon arsyet ҫfarë e bëri atë të largohet nga këto fe.
“Në të parën u josha nga një kulturë e re që s’e kisha njohur më parë, e që u ‘melmua’ me dhurata që vinin në kuadër të programeve propagandistike pas luftës. E dyta me Islamin, erdhi kur po kaloja në një periudhë depresive, që është e zakonshme për atë moshë.”
Ai thotë që të dyja zgjatën shumë pak dhe se në vend të impresionimit, ka përfunduar “i irrituar nga të dyjat.”
“Krishterimin e lashë, sepse u sulmuam nga disa të deklaruar myslimanë, e islamin nuk e vazhdova sepse nuk u binda në të. Përcaktimi im rreth kësaj çështjeje ka ardhur përmes një procesi të gjatë të leximit të historisë dhe filozofisë së religjioneve dhe, sigurisht, studimit të librave fetarë”, thotë ai.
Yll Rugova, partner drejtues në “Trembelat” dhe një ateist i hapur, thotë se edhe pse nuk ka ndonjë organizatë ateiste në Kosovë, ekziston një komunitet informal i ateistëve dhe agnostikëve në Facebook.
Grupi i cili ka një përshkrim në faqe që tregon se komuniteti nuk ka qëllim, është veç një vend i përbashkët për të shprehur pakënaqësitë ndaj presioneve për mendimet dhe qëndrimet e tyre ndaj religjionit. Po ashtu për të ndihmuar njëri-tjetrin për ndonjë aktivitet të sensibilizimit për ndonjë çështje të caktuar që keqkuptohet ose që cenon sekularitetin e shtetit.
Një iniciativë e përbashkët e këtij grupi, që është hapur para disa vitesh dhe sot ka afërsisht 665 anëtarë, ishte themelimi, më 2014, i Shoqërisë Sekulare për Mendim Kritik, organizatë që trajton shekullarizmin, diturinë dhe lirinë fetare në Kosovë. Organizata ka bërë disa fushata dhe ka botuar librin e Richard Dawking Deluzioni Zot.
Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se ateizmi lidhet me rrethanat shoqërore.
“Në kohën e komunizmit shkalla e ateizmit ka qenë shumë më e lartë, sepse ideologjia komuniste e ka luftuar religjionin dhe e ka kultivuar ateizmin, si një ideologji pa fe, pa besim në Zot. Sot në demokraci, njerëzit janë të lirë të shprehin besimin ose mosbesimin e tyre, religjiozitetin ose ateizmin e tyre”, vlerëson ai.
Sipas sociologut Krasniqi, përqindja e atyre që deklarohen ateistë mund të jetë më e vogël se sa në kohën e komunizmit, por sinqeriteti i deklarimit është më i madh.
“Në kohën e komunizmit nuk ka pasë deklarim të sinqertë për ateizmin, sikurse edhe tash që nuk ka deklarime të sinqerta për religjiozitetin. Te një pjesë e njerëzve, religjioni është bërë si një lloj mode, si një stil i jetës, si një vetpërcaktim për një rend simbolik, pa e ditur mirë kuptimin, funksionin, vlerën dhe filozofinë e tij“, thotë Krasniqi.
Sipas Rugovës, ateistët janë të lirë në Kosovë, por ka shumë mungesë të informatave nga një pjesë e shoqërisë në lidhje me ateizmin dhe agnosticizmin.
“Kjo është një prej çështjeve që me organizatat si Shoqëria Sekulare kemi dashur të trajtojmë. Të advokojmë më tutje për forma të ndryshme të besimit në Kosovë dhe për lirinë që secili e ka në këtë fushë. Secili banor i Kosovës është i lirë të besojë apo mos besojë në një zot (apo më shumë) pa pasur nevojë të frikësohet apo të ndjehet i margjinalizuar, apo përjashtuar. Sidoqoftë, mund të them se ka përparim të ndjeshëm në këtë fushë. Ateistët dhe agnostikët sot janë shumë më të pranuar në shoqëri sesa para 10 vjetëve për shembull”, thotë Ylli.
Sipas anketës e cila është përgatitur nga Projekti i Pulsit Publik – UNDP në Kosovë 2010-2013, për opinionin publik që intervistoi 1,290 qytetarë të Kosovës, e cila ishte bërë rreth perceptimeve për diskriminimin dhe tensionet sociale, 8% e kosovarëve ndjehen të diskriminuar sa i përket fesë.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, 1,663,412 banorë të Kosovës janë deklaruar që i takojnë besimit islam, kurse 25,837 persona që i takojnë besimit ortodoks, 38,438 persona besimit katolik, 1,188 religjioneve të tjera. Në të njëjtin regjistrim, 1,242 janë deklaruar se janë ateistë e 7,213 persona nuk kanë preferuar të përgjigjen.
Nafije Sylejmani