Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar Kooperativën Bujqësore të Grave “Krusha”, ku pronares Fahrije Hoti, i ka shprehur respektin për punën e palodhshme dhe i ka ofruar mbështetjen e Qeverisë për avancimin e punës në këtë kooperativë.
Hoti tha se kooperativa e zonjës Fahrije është model i organizimit dhe punësimit të grave, si dhe të gjenerimit të të ardhurave për familjet e tyre.
“Sivjet ka qenë vit i vështirë për të gjithë pa përjashtim, edhe për prodhuesit bujqësorë, si dhe për të gjitha gratë që punojnë këtu. Do t’iu qëndrojmë afër. Siç e dini, ne kemi një pako të rimëkëmbjes ekonomike dhe në kuadër të saj një masë të veçantë për mbështetjen e grave në biznes”, u shpreh Hoti.
Ai shtoi se pavarësisht zhvillimeve të fundit politike që kanë ndodhur, Qeveria do të vazhdojë me zbatimin e kësaj pakoje dhe me mbështetjen e grave në biznes.
Kryeministri Hoti, nënvizoi se pjesën e parë të kësaj mbështetjeje e kanë mbyllur me ndihmën për 100 çerdhe private në mbarë Kosovën, që janë biznese të udhëhequra nga gratë dhe punësojnë gra. Ndërsa, në pjesën e dytë do të mbështesin drejtpërdrejtë gratë që janë të përfshira në biznes si pronare ose si të punësuara gra, para së gjithash këtë kooperativë.