Që nga momenti kur zbrita nga tramvaji me numër 15, Pallati i Kombeve te Bashkuara në Gjenevë jepte një pamje piktoreske, mahnitëse dhe të linte shumë për të dëshiruar. Kur u afrova tek porta kryesore, kërkova nga një polic të më tregonte rrugën për tek porta Pregny, pasi që konferenca TED do të mbahej aty. Kisha mbërritur një orë para se konferenca të fillonte, por mirë bëra pasi që sigurova një ndër vendet më të mira në sallë dhe gjithashtu pasi që salla u mbush plot e përplot e u bë edhe e vështirë për të gjetur ndonjë vend të lirë.
Në anën time të djathtë kisha disa të rinjë që komunikonin në gjuhën angleze, kurse në anën e majtë e kisha një çift që komunikonin në gjuhën frënge. Pak minuta pas orës 15:00, dritat e Sallës së kuvendit filluan të dobësoheshin dhe kështu fokusin kryesor e kishin dy gra që po qëndronin në mes të skenës. Njëra prej tyre e hapi konferencën duke falenderuar sponzorët e shikuesit, kurse tjetra bëri diçka të jashtëzakonshme. Duke treguar që kjo që do të bënte ishte traditë e konferencave TED, ajo kërkoi nga ne (shikuesit) që të kthehenim përballë ndonjë personit që nuk e njihnim në sallë dhe të fillonim të bisedonim me ta. Pasi që ajo na kërkoi këtë, prej një qetësie absolute, salla u shndërrua në një skenë njohjesh e miqësie. Ishte kënaqësi të shikoje se sa e lehtë është të krijoje miqësi me njerëz që nuk I kishe parë kurrë, e ndoshta edhe nuk do t’i shihje më kurrë.
Konferencën e hapi Maryanne Diamond, një grua e verbër që vinte nga Australia. Ajo me delikatesë dhe thjeshtësi të jashtëzakonshme tregoi historinë e saj kur që e vogël e kishin dërguar në një shkollë për të verbër, dhe ëndërra e saj prej atëherë ishte që çdo lloj informacioni të ishte më lehtë i arritshëm për të verbrit. Ajo me batutat e saj aty-këtu bëri sallën për vete dhe na inspiroi me shpirtin e saj luftarak.
Pas saj erdhi Migue Luengo Oroz, që qëllimin e fjalimit të tij e kishte për t’i treguar të tjerëve se sa e rëndësishme është të kemi të dhëna që mund t’i shohin të gjithë.
Pas këtij erdhi Beatrice Ayuru nga Uganda që me ambicie të mëdha arriti të hapte shkollën për fëmijë në Uganda, shkollë kjo që ka për qëllim aftësimin e fëmijëve në kuadrin e biznesit. Ajo potencoi faktin se sa me fat ishte që kishte një baba që e perkrahu, sepse kjo ishte gati e pamundur në Afrikë.
Një ndër fjalimet më të mira për mendimin tim ishte historia e vërtetë dhe e dhimbshme e Vincent Cochetel, një humanitar që kishte punuar në vende shumë të rrezikshme. Ky i fundit shprehu shqetësimin e tij për sigurinë e humanitarëve anë e mbanë botës. Ai kujtoi me ne ditët e tij të zymta në bodrumin e një shtëpie, ku kishte qëndruar për afro një vtiti. Përshkrimi i tij i detajizuar më rrënqethi trupin mua, dhe besoj se edhe të gjithë të tjerëve në sallë. Mesazhi i tij është shumë i qartë, sulmet mbi humanitarët janë sulme mbi njerëzimin.
Gjatë seancës së dytë pata rastin dhe fatin ta dëgjoja Elina Dunin tek performonte në sallën e kuvendit. U emocionova jashtë mase kur e gjithë salla këndonte “lule lu, e lule lu, e lule lule maca maca” bashkë me Elinën. Këndoja edhe unë, natyrisht, e me të vërtetë që e ndjeja edhe një lloj krenarie dhe përkrahje të një kombi brenda vetes.
Folës të tjerë diskutuan rëndësinë e të biseduarit me njerëz edhe të mirë edhe të keq, teksa të tjerë tregonin se si virusi i Ebolës mund të mundet, mirëpo qërshia mbi tortë ishte Fawzia Koofi, grua kjo që ishte pjesë e rëndësishme e parlamentit në Afganistan. Më inspiroi jashtë mase përshkrimi i rrugës së saj për në parlament. Prej një vajze të brishtë e shumë pak të rëndësishme, ajo u shndërrua në një grua që sot ishte njëra ndër femnat më të rëndësishme në Afganistan. “Afganistani konsiderohet një vend i rrezikshëm për të qenë politikan apo grua, fatkeqësisht unë jam të dyja.” Kjo fjali e saj më bëri të mendoja për gratë në botë, por veçanërisht për gratë në Kosovë. A ndihen edhe këto të fundit ‘fatkeqe’ që jetojnë në Kosovë? A janë ato të shqetësuara çdo ditë me çështje morali, përplasje traditash me modernën, dhe pa-barazie gjinore?
Pas përfundimit të konferencës, vrapova jashtë sallës në kërkim të Elinës dhe folësve për të bërë fotografi me ta, por nuk i gjeta dot. Të vetmen që e gjeta ishte zonja Koofi të cilës i qëndronte prapa një roje personale. Pasi që pashë rojën prapa saj, vendosa që mos t’a bëja foton. Në tavolinën afër kishte sanduiç të vegjël me salmon. Mora një dhe vrapova jashtë për t’a kapur tramvajin numër 15.
Artikulli është pjesë e serisë së shkrimeve në punëtorinë e blogut tëTEDxPrishtina “Zbutja e Varfërisë” të mbajtur me 10/10/2014 si aktivitet I përbashkët nga KosovaLive dhe TedxPrishtina. Fituesja e punëtorisë së blogut, Fjoralba Krapi, ka pasur rast të ndjek TedxPlaceDesNations në Gjenevë, Zvicër me ç’rast edhe ka raportuar përvojën e saj si një e re nga Kosova. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikuj jo domosdoshmërishtë shprehin ato të KosovaLive dhe të organizatës.